Toçi denoncon grabitjen e tokave nga qeveria
Ligji i fundit për tokën ka provokuar efektet e para politike. Partia Socialiste ka publikuar dje shifra konkrete lidhur me abuzimin masiv që po ndodh pas zbatimit të normave të reja pasojnë abrogimin e Ligjit 7501. Sipas deputetit Fatmir Toçi, nisma e re që pritet të miratohet prek rreth 50 mijë ha tokë të papërdorur ku vetëm në rrethin e Vlorës deri më tani janë bërë pjesë e abuzimit mbi 1000 ha. “Ligji që po i përgatitet Kuvendit për tokat e pakultivuara e shtrin këtë grabitje në të gjithë Shqipërinë ku u është vënë syri 50 mijë hektarëve tokë në pronësi private, por që ligji ua kalon sekserëve të klanit qeveritar për t’i menaxhuar, pa pyetur, madje pa vënë në dijeni as vetë të zotët e tokës”, deklaroi ai. Zona në Pyllin e Sodës, në Jal, Pish-Poro etj., sipas tij janë vënë aktualisht nën presionin e njerëzve pranë qeverisë. Përllogaritjet e opozitës lidhur me këtë proces shumë delikat flasin për rreth 450 000 fermerë të prekur për të cilët Toçi ka bërë një apel publik për përfshirje në protesta. “PS u bën apel 460 mijë fermerëve, të cilët nuk pranojnë t’u merret toka në mënyrë arbitrare nga shteti i Saliut, të bashkohen me ne në protesta për largimin e këtij pushteti që grabit me ligj”, tha ai.
#