Kryeministria shtrëngon fondet e bashkive
Ndryshon skema e financimit të projekteve të njësive vendore, duke vendosur kritere të reja dhe kontroll absolut nga zyra e Kryeministrisë. Grantet konkurruese nuk do të ndahen më nga një komision që kryesohej nga Ministria e Financave, me anëtare disa institucione linje, por do të kalojnë nga departamenti i bashkërendimit të strategjive (DEBASKON), që varet direkt nga Kryeministri. Ndryshim thelbësor i kritereve për ndarjen e fondeve për bashkitë dhe komunat lidhet me vlerësimin e projekteve me pikë, ku rol kryesor luan niveli i të ardhurave, që do të thotë, “më pak arkëtime, më pak fonde nga qeveria”. Udhëzimi i lëshuar këto ditë nga Ministria e Financave, që del rreth një muaj nga VKM-ja, vendos disa afate në përgatitjen e projekteve të reja nga njësitë vendore. Ajo që bie në sy në udhëzimin e datës 11 mars është përshpejtimi i procedurave, pra afati i shkurtër në përgatitjen e projekteve për grantet konkurruese, duke i vendosur në presion njësitë vendore, të cilat ende nuk kanë një buxhet të tyrin për shkaqe të konflikteve politike. Vendosja e kritereve të forta rrezikon reduktimin e fondeve, kurse vlerësimi me pikë lë hapësira për abuzime. Udhëzimi me rregullat e reja për të gjitha fondet që shkojnë për rrugët, shkollat, ujësjellësit etj., të njësive vendore vjen në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet në bashki dhe komuna.
KriteretUdhëzimi për shpërndarjen e granteve lidhet me vendimin e qeverisë për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, miratuar në shkurt, por e publikuar në mars në Fletoren Zyrtare. Do të jetë Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, pranë Kryeministrisë, që do luajë rolin e sekretariatit të përgjithshëm të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve dhe i cili do të certifikojë dhe japë aprovimin final nëse projekti i njësisë vendore e “meriton” grantin. Njësitë vendore duhet të aplikojnë për fonde brenda datës 15 maj, duke paraqitur kërkesë tek institucioni i linjës, që përkon me llojin e sektorit ku do të investohet. Sa u takon projekteve në vazhdim, bashkitë dhe komunat duhet t’ia nisin listën ministrive të linjës brenda datës 5 prill, pra duke i lënë afat vetëm 4 ditë, pasi udhëzimi ka dalë më 1 prill, ndërsa përpara ishin ditët e pushimit (datat 3 dhe 4). Që këtu del se udhëzimi nuk është përgatitur në ndihmë të pushtetit lokal dhe projekteve të nisura me kohë dhe që kërkojnë paratë për punën e bërë. Më pas, ministritë e linjës përgatisin materialet me fondet shtesë për projektet e nisura dhe ia dorëzojnë sekretariatit në Kryeministri, në datë 10 prill, ndërsa më 15 prill jepet përgjigjja “po ose jo”. Me afatet e vendosura është i pamundur vlerësimi në kohë i projekteve, duke rrezikuar cilësinë e tyre dhe një gjykim jo profesionist.
Kriteret me pikëVendosja e konkurrimit të projekteve mes njësive vendore me anë të disa pikëve në bazë të vlerësimit i fut bashkitë dhe komunat në një situatë akoma e më komplekse sa ishin deri dje. Në pikën 18 të udhëzimit (Pjesa III), thuhet se do të kenë përparësi ato projekte që përputhen me strategjinë e zhvillimit të zonës, dhe për këtë vlerësohen me 20 pikë. Shkalla e ndikimit në reduktimin e varfërisë dhe të rritjes së aksesit në shërbimet bazë do të vlerësohet me 25 pikë, duke u mbështetur në të dhënat e INSTAT (përjashtuar Tiranën), me koeficient 1-4. Po ashtu, niveli i mbledhjes së taksave dhe i tarifave vendore, vlerësohet me 10 pikë. “Ky kriter synon inkurajimin e njësive vendore në mbledhjen e taksave dhe ndahet në disa nënkritere, bazuar në treguesit e dy viteve të fundit”, sqaron Ministria e Financave. Kështu, një njësi që i rrit të ardhurat me 20 për qind dhe pesha totale zë 50 për qind të buxhetit, fiton 10 pikë në testim, kurse të ardhura me rritje 10 për qind dhe peshë në buxhet 40 për qind, përfiton 7 pikë. Njësitë me të ardhura në rritje mbi 5 për qind, vlerësimi me pikë është 5. Kritere me përfitim pikësh ka edhe nëse një pjesë të projektit e merr përsipër ta financojë bashkia apo komuna, ose nga donatorët, me 10, 7 dhe 5 pikë.
#