Zanieri filloi rikonfigurimin e UNMIK-ut
Kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Lamberto Zanieri, pas takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, konfirmoi se tashmë ka marrë dritën e gjelbër nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, për rikonfigurimin e mëtejshëm të misionit. Procesi i ristrukturimit, të misionit të UNMIK-ut, sipas tij do të sjellë ndryshime të theksuara në strukturën aktuale të kësaj administrate, reduktim të madh në numrin e misionit si edhe ndryshimin e dukshëm të rolit, që do të bazohet edhe në rrethanat e reja të krijuara në Kosovë. “Disa departamente të UNMIK-ut do të mbyllen. Të tjerat do të vazhdojnë të funksionojnë. Më duhet të flas me stafin tim që t’i njoftoj se një pjesë e tyre duhet ta përfundojë punën”,-njoftoi Zanieri. “Kam filluar të përgatis këtë proces, i cili do t’i analizojë proceset dhe fushat e përgjegjësisë, se cilat do të modifikohen e cilat fusha do të mbeten ende në përgjegjësi të UNMIK-ut. Një pjesë e tyre do të harmonizohen edhe me EULEX-in”,-shtoi Zanieri. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e mirëpriti lajmin për rikonfigurimin e UNMIK-ut, dhe shtoi se ky proces i shërben stabilitetit të Kosovës. Ndërkohë Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar se rikonfigurimi i UNMIK-ut, reflekton statusin e ri të Kosovës. Në deklaratën për shtyp zëdhënësi i këtij Departamenti Tom Kejsi tha se SHBA-të mbështesin vendimin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun në lidhje me këtë çështje.
Nimiç në Athinë: “Nuk ka afat për kontekstin e emrit”
Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit, Mejtu Nimiç, i ka paraqitur Athinës tre propozime për emrin e Maqedonisë dhe me këtë rast ka sqaruar se nuk do të ketë një datë të përcaktuar për zgjidhjen e kontestit për emrin. Nimiç e dha këtë deklaratë për mediat greke pas takimit me shefen e diplomacisë Dora Bokojanis. “Unë nuk e vlerësoj 9 korrikun apo çfarëdo datë tjetër si afat për zgjidhjen e kontestit të emrit”,-është shprehur Nimiç. Më tej ai ka shtuar se bisedimet midis dy palëve nuk prekin identitetin dhe gjuhën, por vetëm emrin e shtetit. Nimiç dje ndodhej në Athinë ndërsa sot pritet të vizitojë Maqedoninë. Konflikti i emrit u bë shkak që Maqedonia të mos merrte ftesën për anëtarësimin në NATO. Zëdhënësi i kësaj aleance Xhejms Apathurai ka deklaruar se afati i fundit për zgjidhjen e emrit dhe anëtarësimin në NATO është 9 korriku.
27 Qershor 2008