Karamanlis: “Qeveria e re e Gruevskit t’i hapë rrugë zgjidhjes të emrit”
Qeveria e re maqedonase duhet të pajtohet për një zgjidhje të përbashkët dhe të pranueshme për emrin. Kjo ka qenë deklarata e kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, i cili me këtë rast i ka rikujtuar Maqedonisë edhe çështjen e Integrimit në Bashkimin Europian. “Shkupi të mos shpresojë në përparimet drejt BE-së, sepse mbështetja greke për perspektivat e Ballkanit Perëndimor është konsistente, prodhon marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe respektim të ndërsjellë”, - është shprehur Karamanlis pas takimit me homologun e tij boshnjak, Nikola Shpiriç. Sipas tij qeveria e re në Shkup duhet të shmangë provokimet që u bënë gjatë zgjedhjeve dhe të bjerë dakord për një zgjidhe të përbashkët dhe të pranueshme për emrin, deklaroi kryeministri Karamanlis. Në deklaratën për mediat Karamanlis ka rikujtuar përfundimet e takimit të fundit të nivelit të lartë të BE-së ku u dërguan sinjale dhe sugjerime se Maqedonia duhet ta zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë.
KE-ja heton akuzat e Del Pontes për trafik organesh
Këshilli i Europës ka vendosur të hetojë akuzat që kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte, ngriti në librin e saj për trafik organesh me të burgosur serbë gjatë luftës në Kosovë. Me këto hetime do të merret i dërguari i KE-së, senatori Dik Marti i cili pritet të udhëtojë drejt Kosovës për të hetuar nëse drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht pjesë e politikës kosovare kanë qenë të përfshirë në trafikun e organeve. Vendimi për hetim erdhi pas firmosjes së një mocioni nga 17 parlamentarë të cilët kërkonin nisjen e hetimeve nga Këshilli i Europës në lidhje me akuzat nga kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”. Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës për ish- Jugosllavinë, Karla del Ponte, në librin e saj hedh dyshime për trafik organesh për 300 të burgosur serbë të rrëmbyer nga UÇK-ja. Sipas saj, të burgosurit serbë dërgoheshin në një shtëpi në Burrel, 90 kilometra në veri të Tiranës ku kryhej dhe transplantimi i organeve megjithatë këto akuza u hodhën poshtë nga Prishtina dhe Tirana.
27 Qershor 2008