Toka e pangjyrë e utopisë
Logjika e sëmurë përjashton vrazhdë gjakftohtësinë e nevojshme për të kuptuar defektet dhe të metat e mundshme. Këto të meta, sigurisht, s’është e mundur të shmangen kategorikisht, ky është një kapitull i mbyllur, sepse kjo përpjekje do të përbënte një denatyrim sui generis, problemi më i madh është bota e brendshme dhe synimi si qendër, që patjetër duhet dhe kemi mundësi ta fisnikërojmë, duke përvetësuar formën e shkallëzimit si të vetmen udhë të suksesshme.
Jam thjesht i bindur (mirëpres çdo vërejtje, me kusht që të kuptohet thelbi) për përshtypjet e spërkatura me paragjykime, që krijohen nga larg rreth logjikës në fjalë. Ndërsa, sa i përket asaj çfarë ndodh në afërsi, nuk përbën asnjë kërcënim, për vetë faktin se afërsia përbën njohje dhe, si rrjedhojë, gjërat në përgjithësi janë të shkoqitura. Natyrisht, s’ka asgjë për t’u shqetësuar, përkundrazi, pikërisht ky është shtegu i vetëm drejt përvijimit të dobive dhe, njëherësh, drejt përgatitjes për të ardhmen.
Edison ÇERAJ
Disa kërkues të sinqertë me të drejtë thonë se konkluzionet e Aristotelit nxisin ndjenjën e mesatares te njerëzit. Në fakt, po të thellohemi përmes logjikës së kulluar, çdonjëri ka një mënyrë të vetën për të prekur të mesmen e gjërave, në kuptimin e natyrshëm të kësaj mënyre. Sepse çdo “gjë” ka nevojë të jetë një gjë, duke qenë se përditë e më shumë hasen gjëra që s’janë asgjë. Pra, problemi qëndron në faktin se ka njëfarë keqkuptimi të gjërave, fenomene që ngërthejnë në vetvete vlera të qenësishme për individin. Vlera e një gjëje, në të shumtën e rasteve, matet me jetëgjatësinë e saj, pra, sa ka kontribuar në marrëdhënien horizontale në botë, thënë tjetërsoj, sa është e aftë t’u bëjë ballë sfidave që sjell çdo shekull.
Të zgjedhësh mesin, do të thotë të mos privohesh nga asgjë e njëmendët, pra të kesh atë që të nevojitet në masën e duhur, përndryshe humbet drejtpeshimi. Mbase ky është rasti i vetëm ku nocioni i privimit kthjellohet mjaftueshëm, qoftë në kuptimin racional, qoftë në atë ndjesor.
Nga ana tjetër, ia vlen të përmendet se secili prej këtyre dy dimensioneve është një botë më vete, që shërben për lidhjen vertikale të njeriut. Një nga shkaqet më të prekshme, që e nxit njeriun të mohojë e të rebelohet vend e pa vend, me sa duket është privimi (mungesa, mospasja), pra, thënë në akt e sipër: mungesa (shkarja nga e mesmja); pa lënë mënjanë inatin e akumuluar nga zhgënjimet tashmë të shtuara. Andaj, nuk është aspak çudi që komunikimi si nevojë e patjetërsueshme, përditë e më shumë merr trajta absurde, të cilat kanë shkaktuar një ngërç problematik në sjelljen, etikën e shumë njerëzve.
* * *
Logjika e sëmurë gjatë udhëtimit, i cili përshfaqet si marrëdhënie më vete, përjashton vrazhdë gjakftohtësinë e nevojshme për të kuptuar defektet dhe të metat e mundshme. Këto të meta (aludoj më tepër te vesi), sigurisht, s’është e mundur të shmangen kategorikisht, ky është një kapitull i mbyllur, sepse kjo përpjekje do të përbënte një denatyrim sui generis, problemi më i madh është bota e brendshme dhe synimi si qendër, që patjetër duhet dhe kemi mundësi ta fisnikërojmë, duke përvetësuar formën e shkallëzimit si të vetmen udhë të suksesshme.
Jam thjesht i bindur (mirëpres çdo vërejtje, me kusht që të kuptohet thelbi) për përshtypjet e spërkatura me paragjykime, që krijohen nga larg rreth logjikës në fjalë. Ndërsa, sa i përket asaj çfarë ndodh në afërsi, nuk përbën asnjë kërcënim, për vetë faktin se afërsia përbën njohje dhe, si rrjedhojë, gjërat në përgjithësi janë të shkoqitura. Natyrisht, s’ka asgjë për t’u shqetësuar, përkundrazi, pikërisht ky është shtegu i vetëm drejt përvijimit të dobive e, njëherësh, drejt përgatitjes për të ardhmen.
* * *
Sido që të ndodhë, natyrën e ndërlikuar të paragjykimit nuk mund ta ndryshojë askush. Them askush, sepse fenomeni në fjalë nuk është shpikur nga ne, pra nuk është pasojë e asnjërës prej mjeshtërive që njeh historia e dokumentuar apo ajo e padokumentuar.
Nga përpjekjet në shekuj nuk na është ofruar asnjë fryt i dobishëm, përveç marrëdhënies vertikale Zoti – pejgamberët - njerëzit, si e vetmja vazhdimësi për të plotësuar e kuptimësuar jo vetëm rolin tonë, por edhe çdo rol të mundshëm që bart ekzistenca. Jam i mendimit se kjo përmbajtje medoemos duhet të konsiderohet një postulat i pashmangshëm për kristalizimin e realitetit të gjërave, deri ku duhen përfillur dhe cili është ndikimi i tyre në jetën tonë. Pa mëdyshje që ky rregull, ashtu sikurse çdo rregull që ka vendosur Zoti, zë një vend kyç në ruajtjen e rendit të gjithësisë, si e vetmja zgjidhje për një sistem ku mbizotëron ligji dhe harmonia.
Ky është, në njëfarë mënyre, perifrazimi i konceptit që Dekarti ka ndërtuar rreth pozitës së Krijuesit dhe pozitës së gjithë krijmit me në krye njeriun.
Me përfundimin logjik për mendimin e ekzistencës së qenies, Dekarti bëri të kapshme provën ontologjike të ekzistencës së Zotit. E gjithë orvajtja e tij filozofike kishte për qëllim të evidentonte dallimin e domosdoshëm mes Krijuesit dhe krijesës, pavarësisht metodës së dyshimit; ka të ngjarë që dyshimi për të ishte thjesht një formë e të menduarit. Duke u nisur nga ky koncept, ne provojmë qartë se Zoti është shkaku i vetëm i përvojës sonë ontologjike. Pse jo, i çdo përvoje tjetër që na bën të kuptojmë të vërtetën. Pastaj, e pranojmë apo jo, kjo varet nga ne.
* * *
Pra, duke iu rikthyer edhe një herë eksperiencës historike rezulton se, praktikisht, nuk posedojmë asnjë instrument dhe asnjë recetë sqaruese ose ndarëse (duke përjashtuar të mësipërmen për hir të përsiatjes); problematika është shtjelluar vetëm teorikisht (kujto oratorët e filozofët), madje edhe në këtë pikë, siç dihet, nuk ekziston një përmbyllje e kuptimit, për shkak të kundërshtive të shumta e të llo-llojta.
ǒështë e vërteta, sipas të gjitha dukjeve, keqkuptimet dhe paragjykimet në të shumtën e rasteve duhet të shpërthejnë (shpërthime mbushur me pasoja të hidhura) si kundërpërgjigje ndaj së majtës apo ndaj së djathtës si ekstreme më vete. E them këtë, sepse implikimi i njërit prej dy krahëve (pak rëndësi ka se cili, nga kjo pikë shikimi nuk rezulton ndonjë ndryshim), pashmangshmërisht bën që të privohesh nga vlerat e krahut që refuzohet dhe, pikërisht këtu, ka nxitje e provokim ndaj dy fenomeneve ngjitëse që, jo pa qëllim, u përmendën diku më lart.
Gjendja është ndjellëse falë ndërhyrjes së pandërprerë të Zotit, i cili vë në lëvizje çdo gjë (sprova e personazhit në këtë “skenë” konsiston në pozicionin që ai zë gjatë zhvillimit të ngjarjeve, ku secila ngjarje mbart një shenjë që paralajmëron fundin), për arsye se janë balancuar skutat më të errëta me shkëndijat “verbuese”, për t’u krijuar kështu nga refuzuesit e Rregullit steriotip, si shpresa e vetme në përjashtimin e mundësisë së tretë.
* * *
Ndërtimi i tjerrur e i menduar gjerë e gjatë i këtij steriotipi, është një nga sajesat më “gjeniale” që kanë hedhur në glob përfaqsuesit e dy skajeve, pa mëdyshje, gjysmë të shenjta për shkak të origjinës.
Duket sheshazi që kemi të bëjmë me një mekanizëm (çdo mekanizëm u nënshtrohet pa zhurmë kthetrave të mëshirshme të entropisë) shpërndarës, që ka si synim të mbështjellë ata që kanë kohë të lirë me idenë e pavërtetuar, e cila thotë se lumturia i atribuohet kësaj bote, së tashmes pa dy kohët e tjera dhe së këtushmes pa atje. Asnjëherë nuk ka ndodhur kështu e as që ..., përkundrazi, çdo periudhë e shënuar, çdo vend e çdo qenie është shfaqur i/e plotë që në zanafillën e lashtë, ku është ngjizur tërësia sipas një drejtësie të pashembullt. Logjika është e thjeshtë, sepse historia dhe masa e gjërave është përcaktuar nga Zoti, ajo që kemi në dorë ne është meditimi dhe, për rrjedhojë, reflektimi (besimi e vepra si alter binom) ndaj këtyre gjërave dhe ç’është më e rëndësishme, ruajtja e tyre nga tjetërsimi.
Në të kundërt, e gjithë kjo fare “lehtë” mund të shndërrohet në një rast tipik të rënies në utopi (s’ka asnjë mbulesë, të gjitha kanë rënë), për faktin se anashkalimi i drejtësisë fillestare përbën një hulli që ka vetëm një stacion, pikërisht tokën e pangjyrë të utopisë, e cila s’ka lidhje me asnjë premtim.
29 Qershor 2009