E Shtunë, 31 Tetor 2026

Herë si prijës, herë si horri i fundit



Kronikani është tregimtar i historisë. Ka një dallim lehtësisht të kuptueshëm midis atij që shkruan histori - historianit, dhe atij që tregon - kronikanit. Historiani e ka për detyrë që, në një mënyrë a tjetër, të shpjegojë ngjarjet me të cilat ka të bëjë, ai nuk mund të mjaftohet kurrë duke i paraqitur ato vetëm si modele të rrjedhës botërore. E pra pikërisht këtë bën kronikani, e bëjnë këtë me spikamë sidomos përfaqësuesit e tij klasikë, që qenë edhe paraardhësit e historiografive të kohëve të reja.
Walter BENJAMIN

Ajo çka tregimi i këshillon më me ngulm kujtesës, është kompaktësia e virgjër që i shmanget analizës psikologjike. Dhe sa më i natyrshëm është proçesi, gjatë të cilit tregimtari heq dorë nga hijëzimet psikologjike, aq më tepër shanse fiton tregimi për të zënë një vend në kujtesën e dëgjuesit, aq më i plotë është integrimi i tij në përvojën vetjake, tekefundit, aq më me dëshirë do ta ritregojë ai në një të ardhme të shpejtë a të largët.
Ky proçes asimilimi, që realizohet diku në thellësi, kërkon një gjendje çtendosjeje që bëhet gjithnjë e më e rrallë. Nëse gjumi është pika kulmore e çtendosjes së trupit, mërzia është e tillë për shpirtin. Mërzia është zogu i ëndrrës që çel vezën e përvojës. Shushurima e gjetheve në pyll e tremb atë. Çerdhet e saj - veprimtaritë që e shkaktojnë - në qytete tashmë janë zhdukur, në fshat kanë marrë tatëpjetën. Kështu humbet dhuntia e përgjimit dhe zhduket fisi i përgjimtarëve.
Të rrëfesh histori është arti t’i ritregosh ato dhe ky art humbet, kur historitë nuk ruhen më. Ai humbet, sepse nuk endet dhe nuk thuret më teksa dëgjohen ato. Sa më i vetëharruar është përgjimtari, aq më mbresë i lë e dëgjuara në kujtesë. Kur e ka rrëmbyer ritmi i punës, ai e dëgjon historinë në mënyrë të tillë, sa dhuntia për ta ritreguar i vjen vetiu. Por kështu është thurrur çerdhja, ku fle dhuntia e të treguarit. Sot ajo po shqepet në të gjitha tegelat, pasi qe mpleksur mijëra vjet më parë në mjediset e formës më të vjetër të zejtarisë.
Tregimi, që gjallon prej kohësh në mjediset e zejes fshatare, detare e pastaj qytetare, është vetë një formë zejtare e komunikimit. Ai nuk ka për qëllim të përçojë thelbin e pastër të sendit e dukurisë, si informacioni a raporti. Ai e kredh sendin në jetën e tregimtarit, për ta nxjerrë pastaj sërish prej andej. Kështu, tregimi ruan gjurmët e tregimtarit, sikundër poçja ruan gjurmët e dorës së poçarit. Këtë art zejtarie të të treguarit Leskovi e ka perceptuar vetë si një zeje. “Të shkruarit letërsi, - thuhet në një nga letrat e tij, - për mua nuk është art i lirë, por zeje.” Pra, nuk është për t’u habitur që, ndërsa e ndieu veten të lidhur me zejet, teknikën industriale e kundron me armiqësi. Tolstoi, që siç duket e pëlqente këtë qëndrim, prek pikërisht këtë nerv të talentit tregimtar të Leskovit, kur e quan atë “të parin që u tregoi pamjaftueshmërinë e përparimit ekonomik... Është për t’u çuditur se sa shumë e lexojnë Dostojevskin... ndërsa nuk e kuptoj aspak pse nuk lexohet Leskovi. Ai është shkrimtar që i qëndron besnik së vërtetës.”
Në tregimin e tij “Pleshti i çeliktë”, një tregim me aq art e spiritualitet, diçka mes legjendës dhe farsës, Leskovi ka himnizuar zejen lokale të argjendarëve të Tulës. Kryevepra e tyre, pleshti i çeliktë që i dhurohet Pjetrit të Madh, e bind këtë se rusët nuk kanë përse të turpërohen përpara anglezëve.

*
Çfarëdo hulumtimi i një forme të caktuar epike do të ndeshet me raportin, që kjo formë ka ndaj historiografisë. Madje, duhet të shkojë më tej dhe të shtrojë pyetjen se a mos historiografia përfaqëson pikën e shpërfilljes krijuese të të gjitha formave epike. Atëherë historia e shkruar do të qëndronte ndaj formave epike si drita e bardhë ndaj skeptrit të ngjyrave. Sido që të jetë, ndër format epike nuk ka asnjë që ta ketë më të padyshimtë prejardhjen nga drita e pastër, e pangjyrë, e historisë së shkruar, sesa kronika.
Në aspektin e gjerë të kronikës, mënyrat e mundshme të tregimit shkallëzohen si hijet e së njëjtës ngjyrë. Kronikani është tregimtar i historisë. Le të kujtojmë pasazhin nga Hebeli, që gjithsesi ka tonin e një kronike, për të dalluar lehtësisht ndryshimin midis atij që shkruan histori - historianit, dhe atij që tregon - kronikanit. Historiani e ka për detyrë që, në një mënyrë a tjetër, të shpjegojë ngjarjet me të cilat ka të bëjë, ai nuk mund të mjaftohet kurrë duke i paraqitur ato vetëm si modele të rrjedhës botërore. E pra pikërisht këtë bën kronikani, sidomos spikatur e bëjnë këtë përfaqësuesit e tij klasikë, kronikanët e Mesjetës, që qenë edhe paraardhësit e historiografive të kohëve të reja. Duke qenë të bazuara mbi planin hyjnor të shpëtimit, një plan i një thellësie të pafund, ata janë çliruar paraprakisht nga boria e shpjegimit të argumentuar. Vendin e tij e ka zënë interpretimi, i cili lidhet jo aq me vargëzimin e përpiktë të ngjarjeve të caktuara, sesa me mënyrën e përfshirjes së tyre në rrjedhën e madhe e thellësisht të pafundme të botës.

*
Dhe nëse kjo rrjedhë botërore kushtëzohet eskatologjikisht ose është e natyrshme, kjo nuk ka rëndësi. Në tregim kronikani del si kronikan në formë të ndryshuar, të laikizuar. Leskovi bën pjesë ndër ata tregimtarë, vepra e të cilëve e dëshmon qartë këtë. Të dy, kronikani me prirjen e tij eskatologjike dhe tregimtari me prirjen e tij profane, kanë pjesën e tyre aq të madhe në këtë vepër, sa që për shumë tregime është e pamundur të përcaktohet nëse themeli, mbi të cilin ngrihen, janë motivet e arta fetare apo të ato të larmishme të një botëkuptimi laik të rrjedhës së ngjarjeve. Le të përmendim tregimin “Aleksandriti”, që e çon lexuesin “në ato kohëra të vjetra, kur edhe gurët në gjirin e tokës, edhe planetet në kupën e qiellit, gjithçka e sheh me shpërfillje fatin e birit të njeriut dhe asnjë zë nuk i flet më atij, asnjë vesh nuk e dëgjon. Asnjë nga planet e zbuluar rishtaz nuk luan ndonjë rol në horoskopet njerëzore dhe janë të panumërt gurët që, të matur e të peshuar, me peshë specifike e densitet të përcaktuar, nuk na sjellin më asnjë kumt e asnjë dobi. Tashmë ka ikur përfundimisht koha e tyre për të folur me njerëzit.”
Pra, është thuajse e pamundur që të karakterizohet rrjedha e botës, e ilustruar në këtë tregim të Leskovit. Përcaktohet ajo nga eskatologjia apo nga natyra? E sigurt është vetëm që ajo, pikërisht si rrjedhë e botës, qëndron jashtë të gjitha kategorive vërtet historike. Ka kaluar epoka, thotë Leskovi, kur njeriu besonte se jetonte në harmoni me natyrën. Shileri e pati quajtur këtë epokë kohën e poezisë së çiltër. Tregimtari i mbetet asaj besnik dhe vështrimi i tij nuk i shqitet fushës së orës, përpara së cilës lëviz vazhdari i krijesave dhe ku, varur prej rrethanave, vdekja paraqitet herë si prijës dhe herë si horri i fundit.
Përktheu Afrim Koçi

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›