Milani zbarkon me një projekt në Shqipëri
• Daniele Masaro, ish-sulmuesi i Milanit dhe i Italisë do të vijë në Tiranë më 17 mars për të prezantuar projektin “Milan Junior Camp”.Jetmir Halilaj Lajmin e kanë bërë të ditur përfaqësues zyrtarë të klubit milanez, të cilët kanë thënë se bëhet fjalë për një aktivitet që Milani e ka kryer edhe në 47 vende të tjera të botës. “Milan Junior Kamp”, ose kampi Milan për të rinjtë është degë e autorizuar e Divizionit të të Rinjve të Milanit. Kampi i të rinjve të Milanit është një program i projektuar për të nxjerrë në pah aftësitë teknike dhe taktike të pjesëmarrësve dhe është ideuar në mënyrë atillë që të informojë, të shfaqë interes dhe të zbavitë njëkohësisht. Ky kamp trajton njëkohësisht dy elemente të rëndësishëm të futbollit: anën fizike dhe atë psikologjike. “Milan Junior Camp” që do të zhvillohet në Tiranë është parashikuar për djemtë dhe vajzat nga 6 deri në 16 vjeç. Pas suksesit të edicioneve të organizuara në vende të tjera si Itali, Greqi, Bosnje Hercegovinë, Serbi, Hungari ky kamp mbërrin për herë të parë në Shqipëri nga data 30 qershor deri më 4 korrik 2008, në qytetin e Tiranës, në stadiumet “Qemal Stafa”, “Selman Stërmasi” si dhe në ambientet stërvitore të klubit të Dinamos. Prezantimi i këtij projekti do të zhvillohet të hënën në orën 11:00 në Tiranë në hotel “Sheraton”. Në konferencën e shtypit do të jenë të pranishëm Daniele Masaro, përgjegjësi për marrëdhëniet me publikun te klubi i A.C.Milan, Françeska Pietra menaxhere marketingu e projektit të të rinjve të Milanit, Marko Skembri menaxher i përgjithshëm i “World Camp International”, znj.Liri Berisha, presidente e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”, Rezart Taçi, Menaxher i përgjithshëm i “Taçi Oil International”, Lorenco Ronkari, CEO ABA Bank dhe ambasadori italian në Shqipëri Saba d’Elia. “Kjo është hera e parë që Milani zhvillon një aktivitet të tillë në Shqipëri dhe ne shpresojmë që të përfundojë me sukses kjo iniciativë, tha për “Panorama” përfaqësuesi i zyrës për shtyp të Milanit, Mikele Frolo. Ky është thjesht një aktivitet i cili ka disa qëllime: i pari është që ndihmon fëmijët që të argëtohen në ngjyrat kuqezi të Milanit dhe qëllimi i dytë, të cilin ne nuk mund ta mohojmë, është ai i efekteve publicitare”.