E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficeri i Policisë aksidenton për vdekje të moshuarin



LEZHË – Një 60-vjeçar humbi jetën krejt rastësisht teksa po ecte në rrugën e tij, por kësaj radhe shkaktar ka qenë një oficer policie, i cili dyshohet se po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasi Hilmi Smajla, punonjës policie në Komisarin e qytetit të Shkodrës, ka dalë nga rruga së bashku me mjetin e tij, duke u përplasur me bordurën anësore të rrugës në komunën Balldre dhe më pas ka goditur shtetasin Ahmet Kurtulaj. Smajla po udhëtonte me mjetin e tij tip “Benz” me targë SH 6357 D nga Lezha në drejtim të Shkodrës. Pikërisht, rreth orës 15:50 të ditës së djeshme, në momentin kur ndodhej në Lagjen e Carajve, 42-vjeçari ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe shkaktuar vdekjen e kalimtarit. Burimet për gazetën bëjnë të ditur se drejtuesi i mjetit ka qenë duke ecur me shpejtësi të madhe, gjë që ka sjellë edhe aksidentin me pasojë vdekje, por pritet të zbardhen detajet e tij pas përfundimit të ekspertizës nga ana e policisë.
Aksidenti
Dje, rreth orës 15:30, oficeri i policisë Hilmi Smajli po udhëtonte nga Lezha në drejtim të Shkodrës. Sapo ka lënë qytetin, në afërsi të fshatit Balldre, ai ka humbur kontrollin. Mjeti tip “Benz” dukej se ishte me shpejtësi të lartë dhe rruga ishte me lagështirë për shkak të reshjeve. Makina e tij ka bërë një përplasje me bordurën anësore të autostradës në vendin e quajtur Lagja e Carajave dhe më pas ka goditur një kalimtar. Goditja ka qenë fatale, duke i shkaktuar vdekjen 60-vjeçarit Ahmet Kurtkulaj. Forca e përplasjes ka zhvendosur rreth 2 metra barrierën e betonit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në vendngjarje kanë shkuar efektivat e policisë së qarkut të Lezhës, të cilat kanë bërë ekspertizën. Sipas tij, oficeri Smajli është vetëdorëzuar në Komisariatin e Lezhës, në pritje të ekspertizës që do t’i bëjnë specialistët e Qarkullimit.
Hetimet
Të dhënat paraprake flasin se autovetura që drejtohej nga oficeri i Policisë Hilmi Smajli ka qenë me shpejtësi të madhe. Kjo faktohet edhe nga zhvendosja që i ka bërë materialit prej betoni që ndante korsitë e autostradës. Po ashtu, rruga ka qenë e lagët për shkak të reshjeve të shiut që ranë gjatë ditës së djeshme. Por, ekspertët në vendngjarje kanë pohuar se nuk përjashtohet mundësia e ndonjë defekti në sistemin e drejtimit të mjetit që drejtonte oficeri i Policisë, apo bllokimin e rrugës nga mjete të tjera, gjë që mund ta ketë detyruar shoferin të shmanget dhe për pasojë, të përplaset me bordurën. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasi Hilmi Smajla është marrë në pyetje dhe ndaj tij pritet të nisin hetimet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit”.

Përplaset nga një automjet, humb jetën 79-vjeçarin

TIRANË - Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një kalimtari ka ndodhur në Rrugën e Durrësit, pranë firmës “Knauf”. Sipas burimeve policore, drejtuesi i mjetit është arrestuar vetëm disa orë më vonë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, kur automjeti tip “Fuoristradë Chevrolet”, me targë TR 4802 R, ka aksidentuar shtetasin Ismail Daut Ademi, 69 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit po tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin në momentin që është goditur nga automjeti. I aksidentuari u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku edhe pas ndihmës së menjëhershme mjekësore nuk mundi të jetonte. Pak orë më vonë është bërë arrestimi i autorit, i cili është shtetasit Eduart Mullaraj, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Aksident, plagoset rëndë një 24-vjeçar

PEQIN - Një kalimtar është përplasur nga një automjet në momentin që po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën në qyteti e Peqinit. Sipas burimeve policore, 20-vjeçari Halit Tosku, lindur e banues në Peqin, duke drejtuar mjetin e tij tip “Golf” me targë N 766 KBF, ka aksidentuar 24-vjeçarin A. Q., lindur e banues në fshatin Labinot të Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, pranë fshatit Xibrakë. I dëmtuari u dërgua menjëherë në Spitalin kirurgjik të Elbasanit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore, i plagosuri është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Pranga adoleshentit për grabitje banesash dhe automjetesh

TIRANË - Policia e Tiranës ka arrestuar një 18-vjeçar, i cili akuzohej për vjedhje më shumë se një herë dhe plagosje me armë. Sipas burimeve policore, shtetasi Ilis Qokaj, 18 vjeç, banues në Tiranë, ishte person i shpallur në kërkim më 7 dhjetor, pasi në bashkëpunim me shtetasin Kreshnik Mziu, i cili është i arrestuar, dyshohet se kanë vjedhur banesën në pronësi të një shtetasi, me banim në rrugën “Njazi Meka” në Tiranë. Ndalimi i 18-vjeçarit u bë ditën diel. Ky shtetas akuzohej se në bashkëpunim edhe me 8 shtetas të tjerë, të cilët tashmë ndodhen të arrestuar, kanë kryer disa vjedhje automjetesh, kryesisht të tipit “Benz”, në kohë e periudha të ndryshme në kryeqytet. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes më shumë se një herë në bashkëpunim”.

Arrestohet 19-vjeçari, iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme armësh

TIRANË - Është kapur në flagrancë një 19-vjeçar, të cilit pasi iu kontrollua mjeti që zotëronte, iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme armësh. Sipas Policisë së Tiranës, shtetasit Elton Haka, lindur e banues në Babrru, është arrestuar ditën e hënë pasi akuzohej për armëmbajtje pa leje. Ky shtetas është kapur në flagrancë nga Patrulla e Përgjithshme në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Pas kontrollit që iu bë automjetit të tij, tip “Golf”, pa targa, i është gjetur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”, një krehër me dy fishekë, një thikë e fabrikuar me dorezë druri me ngjyrë të zezë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. U kryen veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.

Prangosen, po kalonin kontrabandë një kamion me bagëti

KORÇË - Dy persona janë kapur në flagrancë teksa po kalonin një mjet të tipit kamion në mënyrë kontrabandiste, në të cilin janë gjetur 42 krerë bagëti. Sipas burimeve policore, janë arrestuar shtetasit B. Pinderi, 42 vjeç, lindur në fshatin Panarit dhe banues në fshatin Libonik të Korçës, si edhe 25-vjeçari E. Pinderi, banues në Libonik. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po tentonin të kalonin ilegalisht përtej kufirit një kamion me targë KO 0055 B në të cilin kishte 42 krerë dele. Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Korçës, sipas të cilave kanë nisur hetimet për veprën penale të “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”.

Denoncon bashkëshortin për dhunë, merret në mbrojtje

DURRËS – Një tjetër rast dhune në familje është regjistruar në Durrës, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj. Nëna e dy fëmijëve ka denoncuar kryefamiljarin Mikel. N., 40 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 15 në qytetin bregdetar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se gruaja ka deklaruar se është dhunuar fizikisht e psikologjikisht në mënyrë sistematike nga bashkëshorti. Nga ana e policisë u kryen veprimet procedurale, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet iu dërguan Gjykatës së Rrethit Durrës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

I mbyll derën nënës, procedohet penalisht

DURRËS - I ka mbyllur derën nënës së tij, e cila më pas e ka denoncuar duke e çuar në ndjekje penale në gjendje të lirë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Mario Z., 39 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 4 të qytetit bregdetar. Sipas tyre, procedimi ndaj tij nisi për arsye se njëkohësisht kur është ende në proces gjyqësor me nënën e tij për ndarje pronësie, nuk e ka lejuar që të hyjë në banesën e përbashkët. “Materialet e para hetimore për veprën penale të vetëgjyqësisë iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës”, - thotë zëdhënësja e Policisë së qarkut Durrës, Ornela Cako.

16 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›