E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Toro: Shteti shqiptar u detyrohet ish-pronarëve 30 miliardë euro

12/03/2012  Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “pronësi dhe Drejtësi” analizon problemet me pronat në vendin tonë

Në një intervistë për “Metropol” sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi dhe Drejtësi” Agim Toro analizon shkaqet pse nuk votohet projekti i qeverisë. Sipas Toros, ligji 8053, i cili trajton tokat e ndërmarrjeve bujqësore, pra të fermave, dhe që u mor kryesisht me shpërndarjen e pronave, vuri disa kufizime për ata qytetarë apo banorë të këtyre pronave bujqësore që nuk kishin lidhje me tokën, por që ishin në zona turistike, pra toka ishte për t’u lënë në përdorim për ta, jo në pronësi. “Tokat në përdorim iu dhanë edhe disa kategorive të caktuara punonjësish të pronave, të cilët nuk ishin të këtyre fermave, ku ligji u ndalonte kalimin e tokës në pronësi të tyre. Si dhe në zonat turistike në asnjë rast nuk lejohej kalimi i tokës në pronësi përveç atyre individëve që ishin punonjës të këtyre fermave, por që ishin dhe pronarë të vjetër të tokave. Në këtë ligj nuk përcaktoheshin qartë edhe shumë elemente që kishin të bënin me pronësinë e tokës”, - shprehet Toro.

- Zoti Toro, qeveria rreth një vit më parë mori nismën ligjore për rishikimin e ligjit nr. 8053 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, ku qëllimi i ishte kalimi në pronësi të tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore të familjeve apo individëve që e kanë pasur atë në përdorim, si e komentoni këtë?

- Ligji nr. 7501 në kohën kur u miratua ligji nr. 8053 kishte katër vjet që nuk po zbatohej dhe njëkohësisht kishin dalë dhe faturat e kthimit dhe kompensimit të pronës, ku shteti kishte filluar të kuptonte se moskthimi i pronës kishte një kosto për shtetin shqiptar, kosto e cila ndoshta në kuptimin jo të saktë të kohës ishte e vështirë për t’u përballuar nga shteti ynë. Në këtë kuadër ligji nr. 8053, i cili trajton tokat e ndërmarrjeve bujqësore, pra të fermave, dhe ku këto prona ishin të shtrira thuajse në të gjithë bregdetin shqiptar, ku nuk kishim kooperativa bujqësore, por ishin ferma. Gjithashtu fermat ishin rreth e qark gjithë qyteteve kryesore të vendit dhe kishte toka që nuk ishin shpërndarë me ligjin nr. 7501. Duke u nisur edhe nga fakti që ndërgjegjja kishte filluar të kthjellohej për sa i përket ekonomisë së tregut, ligji nr. 8053, që u mor kryesisht me shpërndarjen e pronave, vuri disa kufizime për ata qytetarë apo banorë të këtyre pronave bujqësore që nuk kishin lidhje me tokën, por që ishin në zona turistike. Pra, toka ishte për t’u lënë në përdorim për ta, jo në pronësi, që do të thotë se ata nuk ishin dhe nuk janë pronarë të tokave në asnjë rast. Gjithashtu toka në përdorim iu dhanë edhe disa kategorive të caktuara punonjësish të pronave, të cilët nuk ishin pjesë e këtyre fermave, ku ligji u ndalonte kalimin e tokës në pronësi të tyre, si dhe në zonat turistike në asnjë rast nuk lejohej kalimi i tokës në pronësi, përveç atyre individëve që ishin punonjës të këtyre fermave, por që ishin dhe pronarë të vjetër të tokave. Pra, tokat e pronarëve nuk u kthyen ose u dhanë nëpërmjet këtij ligji pronarëve të tyre.

- Çfarë nuk shkonte në draftin e qeverisë? Them “nuk shkonte” pasi ligji ende ka mbetur pezull

- Në këtë ligj nuk përcaktoheshin qartë edhe shumë elemente të tjera që kishin të bënin me pronësinë e tokës. Dhe po të shikojmë pak nga historiku, do të vërejmë një gabim shumë të rëndë, që u shfrytëzua nga pjesa korruptive e politikës shqiptare lidhur me zbatimin e këtij ligji, sidomos në zonën e Vlorës, ku në emër gjoja të pronarëve morën tokat më të mira turistike ato familje që nuk kishin të bënin me ato toka. Dhe në këtë aspekt u shfrytëzua një hapësirë ligjore, pasi ligji nuk thoshte që “të marrë tokën e vet”, por thoshte “kalimi në pronësi të tokës të atyre që kanë formuar apo themeluar fermën”. Ky ishte një shfrytëzim abuziv i hapësirave të pasaktësuara të ligjit, që bëri të kishte një hapësirë të abuzivizmit në lidhje me të drejtat që u jepte ky ligj njerëzve që ishin në pushtet apo të lidhur me pushtetin. Gjithashtu konfliktual u paraqit ky ligj edhe sa u përket atyre që i kishin marrë tokat në përdorim, të cilët gabimisht e quanin veten pronarë, siç kemi rastin e Orikumit apo Ksamilit, ku pati një lëvizje të mëpasme, që në Ksamil nuk u dhanë as në përdorim tokat, sepse ishte ideja që të transferohej fshati nga zona e Ksamilit. Por në Orikum u dhanë, ku ka pasur disa revolta, të cilat kishin të bënin me kërkesën e tyre për t’ua kaluar tokën në pronësi, sepse sipas arsyetimit të tyre ata ishin të barabartë si të gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë dhe prandaj kërkonin tokën e tyre. Por edhe kjo nuk është një drejtë, sepse tokat që janë të pronarëve dhe me pronarë nuk mund të ndahen nga shteti për arsye të interesave të shtetit. Tani le të kthehemi në situatën e sotme, ku kemi një ndryshim të këtij ligji nr. 8053. Edhe pse ndryshimi ligjor ka nisur me shqyrtimin e tij në komisionet parlamentare, ku së fundi kaloi në korrikun e vitit të kaluar edhe nga Komisioni i Ligjeve, ai nuk quhet i miratuar, pasi ende nuk është votuar nga parlamenti.

- Si e shpjegoni ju këtë ngecje të këtij ligji pikërisht në hallkën e fundit?

- Kuvendi nuk e ka miratuar ende dhe shkaqet e mosmiratimit të tij janë presionet që ka ndaj Kuvendit nëse ky ligj duhet miratuar apo jo?! Sepse këto ndryshime që parashikon projektligji kanë për synim të kalojnë në pronësi tokat që nuk kishin kaluar në pronësi. Dhe objekt i këtij ligji është që edhe ato toka që nuk kishin kaluar në pronësi, por ishin në përdorim t’u kalojnë pronarëve. Pra, ky vetë si ligj nuk ka efekt, nuk ka kuptim. Në këtë aspekt ne nuk jemi absolutisht dakot. Në radhë të parë kemi të bëjmë me pronat shtetërore, të cilat pavarësisht se janë të fermave bujqësore, kërkohet që t’u jepen individëve falas. Është absurde që në ekonominë e kapitalit të kalojnë tokat falas, në një kohë që vetë shteti ka një borxh gjigant, rreth 30 miliardë euro për pronarët, të cilët i ka marrë përsipër t’i kompensojë për pronat që nuk mund të kthehen. E dyta, kemi të bëjmë me prona të pronarëve individualë. I gjithë bregdeti i Shqipërisë së Jugut ka qenë pronë e individëve dhe në këtë aspekt, nëse këta individë kanë vendim apo s’kanë vendim, është faji i administratës shtetërore që nuk i ka pajisur akoma. Nëse ata nuk kanë marrë ende tokat, por ajo u kalon në pronësi p.sh. banorëve të Orikumit, atëherë pronarët çfarë do të marrin, në një kohë që e drejta e ligjore për t’u kthyer pronën pronarëve ka të paktën që në vitin 2004 në miratimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave? Dhe në rast se administrata shtetërore, që ka akoma ndonjë dosje pa një vendimmarrje, është faji i administratës që nuk zgjidh problemin e kthimit dhe kompensimit të pronës. Njëkohësisht një shtet që kërkon të falë pasuri, një pasuri me shumë vlerë siç janë tokat në zonat turistike, në një kohë që ka borxhe të pafundme, që akoma nuk është zgjidhur dhe nuk mund të bëhet më fjalë për kompensim të saj, është një absurditet të mendosh një gjë të tillë. Shkaqet dhe mosshkaqet e bllokimit të këtij ligji unë nuk di t’i them, pasi ne nuk kemi qenë pjesë dhe nuk na kanë ftuar për të marrë dhe mendimet tona. Por ne jemi të bindur se ka ikur ajo kohë që shteti të falë apo të dhurojë, shteti të administrojë apo të kalojë pronësinë e vet individëve të tjerë në një kohë që ka detyrime ndaj pronarëve shqiptarë, qoftë pronarëve të vetë tokave, të cilët nuk kanë marrë asnjë vendim nga AKKP-ja, por dhe pronarëve të tjerë, për të cilët shteti ka marrë përsipër t’i kompensojë, sepse në tokat e tyre janë ndërtuar vepra apo shërbejnë për një interes publik. Në këtë kuadër, ky veprim do të shtonte faturën financiare, në një kohë që me këto toka mund të ulë këtë kosto financiare. Duhet të kemi parasysh dhe një fakt tjetër: në ligjin e vitit 2004 kishte një detyrim që shteti brenda dy vjetve do të publikonte në Fletoren Zyrtare të gjitha pronat që do të vinin për kompensimin e pronarëve.

- Çfarë është bërë konkretisht?

- Kanë kaluar 8 vjet dhe ende nuk është publikuar asgjë këto. Pra, ende nuk ka asnjë vendim të qeverisë shqiptare për të përcaktuar pronat shtetërore që kalojnë për efekt të kompensimit të pronarëve shqiptarë. Para disa ditësh u bë publik deklarimi i drejtorit të AKKP-së se janë 90 mijë hektarë tokë për kompensimin e pronarëve. Kjo shifër për ne ka një pikëpyetje shumë të madhe. Dhe kjo sepse nuk mjafton shifra 90 mijë hektarë në dispozicion, po ku janë këto toka dhe çfarë vlere kanë këto toka, pasi mund të kemi toka në malësi apo zonat malore, të cilat s’i vlejnë kurrkujt. Mund të jenë toka pyjore, që vetëm pyje nuk kanë, apo mund të jenë toka të pafrytshme. Prandaj duhet të botohen në Fletoren Zyrtare tokat që vendosin institucionet e AKKP-së, si dhe duhet të bëhet dhe sa i përket sipërfaqes dhe vlerës së tyre. Përderisa akoma në Fletoren Zyrtare nuk kemi një botim që të ketë një përmbajtje të tillë, ne këtë gjë e vëmë në pikëpyetje me shumë rezervë, për të mos thënë se nuk kemi besim te ky ligj. Kjo është situata në të cilën ndodhemi, aq më tepër që po të hidhemi në një raport që Banka Botërore ka bërë për zgjidhjen e problemit të pronësisë rezulton që shteti shqiptar është i pafuqishëm për të kompensuar pronarët. Për t’u marrë dhe për të zbatuar atë detyrim që shteti e ka bërë publik që nga viti 1993 se do t’i kompensojë. Dhe Banka Botërore këtë thotë, pra se është e pamundur që shteti shqiptar t’i kompensojë këto prona. Por shteti shqiptar akoma nuk e ka bërë publike detyrimin apo faturën financiare që vetë e ka marrë përsipër. Janë rreth 60 mijë vendime të AKKP-së, por që nuk gjejnë zbatim.

- A ka shteti shqiptar ndonjë hartë apo ndonjë listë mbi pronat që do t’u kthehen pronarëve të tyre?

- Ende nuk ka një hartë që të tregojë se ku janë këto prona, si dhe nuk ka të publikuara pasuritë shtetërore që do t’u vihen në shërbim këtyre individëve. Mbi të gjitha, afati i fundit që duhej të bëheshin këto deklarime është shtyrë me një vendim të Këshillit të Ministrave, ku ky afat u shty deri në vitin 2018. Pra, mbas 25 vjetësh pas daljes së ligjit të parë të kthimit dhe kompensimit të pronave shteti do të detyrohet të bëjë publike, në qoftë se do ta zbatojë këtë vendim për pronat dhe kompensimin e pronarëve, që është një nga absurditetet më të mëdha. Është ky shkaku që pronarët shqiptarë, duke mos pasur besim te klasa politike shqiptare, e cila është tallur me ta gjatë këtyre 20 vjetve, po i drejtohet gjithnjë e më tepër Gjykatës Europiane të Strasburgut, ku janë çuar për vendime gjyqesh 600 çështje. Në qoftë se këto vendime do të merren, atëherë ndëshkimi për shtetin shqiptar do të jetë shumë i rëndë. Është kjo arsyeja që shoqata jonë gjithë kohës ka këmbëngulur dhe këmbëngul që të ulemi në tryeza dhe të gjejmë një zgjidhje brenda shtetit tonë. Ne kemi propozuar dhe propozojmë përsëri që zgjidhjet janë te kthimi fizik i pronës dhe jo te kompensimi i saj. Në qoftë se pronat që janë të paprekura, të pandryshuara, pa pallate, pa shkolla, pa lokale etj., nuk ka asnjë arsye të mos u kthehen pronarëve për hir të politikave të gabuara. Pa shtuar këtu konfliktin shumë të madh të legalizimeve, për të cilin akoma nuk ka asnjë shenjë se pronarëve që u janë zënë tokat nga ndërtimet pa leje mund t’u kompensohen ndonjë ditë. Pra, analiza e këtij problemi kërkon domosdoshmërish një tryezë pune me ekspertë të shoqatës, me ekspertë të huaj.

- A ka pasur ndonjë nismë për një organizim të tillë?

- Deri më tani jo. Megjithëse Komisioni Europian ka këmbëngulur me forcë në një gjë të tillë, ku kushti i 10-të që ka vënë KE-ja për integrimin e Shqipërisë është çështja e pronave. Ajo kërkon që të ndërtohet dhe hartohet një strategji e saktë për zgjidhjen e këtij problemi, në të cilin patjetër që duhet të marrin pjesë grupet e interesit. Është për të ardhur keq që akoma s’ka asnjë iniciativë të tillë, por ne mendojmë që domosdoshmërish duhet organizuar një tryezë e tillë. Ndryshe ne do të jemi në një rreth vicioz ku ky problem do të jetë një nga çështjet më gangrenoze për vendin dhe do t’i vërë një pikëpyetje të madhe perspektivës së zhvillimit të vendit tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›