Luan Hoxha paditi Mediun, një javë para Gërdecit
Zbulohet armiqësia e hershme mes gjeneralit dhe ish-ministrit Mediu, për shtesat mbi rrogën nga komisionet e tenderëve
TIRANË- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, duket se i ka prishur marrëdhëniet me ish-ministrin Fatmir Mediu që prej dhjetorit të vitit 2006. Asokohe, ish-ministri kishte firmosur dy urdhra, njëri pas tjetrit, me anë të së cilëve i ndalonte Hoxhës shtesën e pagës, në rast se ai përfshihej në komisionet e tenderëve të kësaj ministrie. Nga ana e tij, kreu i Shtabit të Përgjithshëm vendosi të "rebelohej", jo vetëm duke marrë paratë shtesë, por edhe duke mos i kthyer ato në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, pas urdhrit të dytë të Mediut. Ish-ministri i Mbrojtjes i kishte justifikuar këto urdhra me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që i kishte cilësuar paratë shtesë të Hoxhës të jashtëligjshme. Konflikti mes zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes ka zgjatur për më shumë se një vit, ku vetëm pak ditë pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, kreu i Shtabit të Përgjithshëm kishte paditur në gjyq ministrin Fatmir Mediu.
Sipas kërkesë-padisë së depozituar në mars të këtij viti pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, mësohet se Luan Hoxha ka vazhduar të marrë shtesën mbi pagën,ndërsa ka paditur në Gjykatë ish-ministrin e Mbrojtjes, duke kërkuar shfuqizimin dhe ndryshimin e aktit administrativ të firmosur nga ai. Në kërkesë-padi, Hoxha i cilësonte këto dy urdhra si të paligjshëm dhe të pambështetur në sistemin e pagave të ushtarakëve në detyrë dhe rregullores së Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu, sipas kërkesë-padisë me nr. 5457, të regjistruar në gjykatë, vetëm një javë para tragjedisë së Gërdecit, më datë 7 mars të këtij viti, paditësi gjeneral-lejtnant Luan Hoxha kërkon nga togat e zeza revokimin e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes me nr.10077 dhe 10077/1 datë 07.12.2006, urdhër ky që ka të bëjë me zhdëmtimin e shumës së fituar nga gjeneral Hoxha. Pas depozitimit të kësaj kërkese në gjykatë, shorti elektronik caktoi gjyqtarin Agron Zhukri për shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Gjatë seancës së djeshme, gjyqtari Zhukri vendosi kthimin ekërkesë -padisë për riformulim, pasi sipas diapozitivit të vendimit ajo nuk ishte e plotë dhe e bazuar në ligj. Kështu, sipas kërkesë-padisë, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha ka paditur para ngjarjes së Gërdecit ish-ministrin Mediu për shfuqizimin e aktit për zhdëmtim dëmi, duke kërkuar nga gjykata që ky urdhër të deklarohet i paligjshëm dhe gjenerali të vazhdojë të marrë shtesë page, në rastet kur ai ishte anëtar komisioni në tenderët e zhvilluar në ministri, shtesë e cila nuk bëhet e ditur se sa ishte. Sipas Luan Hoxhës,falë gradave që ai ka fituar në kurse dhe trajnime të ndryshme, i takonte kjo shtesë në pagë në rastet kur ai merrte pjesë në komisione, ndërkohë që i cilësonte urdhrat e Mediut të paligjshme. Sipas kërkesë-padisë, Ministrisë nuk i është shkaktuar asnjë dëm, edhe pse KLSH-ja, nuk ishte në të njëjtin mendim me të. Objekti i padisë që tashmë është kthyer për riformulim, ka të bëjë vetëm me zhvlerësimin e urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes për zhdëmtim dëmi, e sipas së cilit, Luan Hoxhës i duhet të kthejë të gjitha paratë që ka përfituar nga pjesëmarrja në komisionet e tenderave.