Lejet, pas festave rikthehen në qeli 630 të dënuar
Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Plot 630 persona të cilët vuajnë dënime të ndryshme në burgjet e vendit, pasi përfituan nga lejet speciale të lirisë së përkohshme festive, janë kthyer në vendet e vuajtjes së dënimit, bëjnë të ditur burime nga Ministria e Drejtësisë.
Zyrtarët e dikasterit vlerësojnë se aplikimi i kësaj mase lehtësuese për një pjesë të të burgosurve, ka ndikuar në përmirësimin e jetës së tyre dhe përballimin e vuajtjes së dënimit, si dhe afrimit edhe më shumë me jetën e njerëzve pa probleme me drejtësinë.
Përfituesit
Personat që përfituan liri të përkohshme, ishin kryesisht të dënuar që kanë dy vjet dhe më pak burgim për të kryer, gratë shtatzëna, djemtë në moshë nën 20 vjeç të dënuar për krime të ndryshme dhe nëna me fëmijë. Ndërkohë, mësohet se Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një dosje ku përfshihen emrat e 400 personave të cilëve do tu konvertohet dënimi nga vuajtje në burg në dënim alternativ me angazhim në punë të ndryshme publike. Ministria e Drejtësisë nuk dha detaje të mëtejshme për këtë projekt që pritet të zbatohet ditët në vazhdim, por tha se ai po realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të Burgjeve.
Alternativat
Njëra është puna në shërbim të komunitetit dhe e dyta është ajo që quhet ndërmjetësimi midis viktimës dhe ofenduesit për zgjidhjen e konfliktit, pa shkuar në situata penale. "Puna në shërbim të komunitetit, e cila është e parashikuar në ligj është e mundur të jepet nga gjykatat. Deri në muajin shtator ajo nuk ka qenë e mundur që të jepet dhe të zbatohet, sepse kanë munguar qendrat pritëse për zbatimin e këtyre masave", ka shpjeguar Shestani. Për zbatimin e ligjit qendrat pritëse mund të jenë qendra shtetërore dhe organizata joqeveritare, të cilat ofrojnë mundësinë e punësimit në të mirë të komunitetit. Puna e detyruar në interes publik jepet për një kohë në minimum prej 40 orësh dhe në maksimum deri në 240 orë, me kushtin që ajo të kryhet brenda një afati prej 6 muajsh. Deri tani përzgjedhja e institucioneve apo shoqatave që ofrojnë këtë lloj shërbimi është kryer nga UNICEF-i, pasi ka pasur mangësi në kuadrin ligjor.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010