E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat në përdorim, amulli me procesin

04/06/2010 Konstatohen 150 ha që do i kthehen shtetit. Ndryshimi i kufijve të qyteteve, problem për pronarët

Rreth 150 hektarë tokë në të gjithë vendin që është marrë në përdorim ish-punonjësit e ndërmarrjeve bujqësore në periferitë e qyteteve, si dhe në zonat turistike pritet t’i shtohen fondit për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Mësohet se komisionet vendore të verifikimeve po vazhdojnë këtë proces, që pritet të nxjerrë një sërë parregullsish në ndarjen e kësaj toke. Por procesi në fjalë, në të vërtetë duket se është në amulli për një sërë faktorë. Së pari, të gjitha këto toka në momentin e ndarjes për shkak të zgjerimit të qyteteve janë përfshirë brenda vijave të verdha të tyre, çka i detyron pronarët që t’i lëshojnë këto prona dhe të përfitojnë kompensimin deri në 500 m2 për persona, për familjet me mbi 6 pjesëtare. Së dyti, një pjesë e tokave në momentin e ndarjes nuk kanë qenë toka bujqësore, por me vendimin e këshillave të rretheve apo të titullarëve të tjerë janë kthyer në toka bujqësore dhe ligji nuk e lejon këtë ndrysh, çka do të thotë se edhe këta persona janë të detyruar t’i kthejnë shtetit tokat e marra nga ish NB pas vitit 1991. Gjithashtu, rezulton se një pjesë e mirë e këtyre sipërfaqeve u janë shitur personave të tjerë, të cilët kanë ndërtuar shtëpi apo edhe godina të tjera që tashmë janë procesin e legalizimit. Megjithatë, deri më tani ende nuk ka asnjë rezultat konkret dhe pritet që gjatë periudhës në vazhdon të saktësohen sipërfaqet që do t’u rimerren ish-punonjësve të NB-ve apo edhe të tjerëve që preken nga ligji “Për verifikimin e Titujve të Pronësisë”. Sipas të dhënave janë rreth 10 300 hektarë tokë që u janë shpërndarë mbi 8 mijë familjeve në të gjithë vendin, të cilat preken nga ligji i ri. Në këtë ligj përcaktohet se familjet që kanë përfituar tokë në përdorim para shkurtit të vitit 1996 dhe në rast se toka e tyre është brenda vijave kufizuese të qyteteve, do t’u merret toka dhe do të kompensohen me truall në qytet brenda, ose me tokë turistike në bregdet. Sipas këtij vendimi, qeveria ka përcaktuar që përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, do të kompensohen me truall në zonat urbane vetëm atëherë kur toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kompensimi i këtyre familjeve do të ndodhë vetëm atëherë kur të përfundojë procesi i legalizimeve. Ligji parashikon se këto familje në rast se kanë shitur këtë tokë apo e kanë kthyer në pronësi, atëherë duhet të derdhin në shtet të gjithë sasinë e përfitimit që kanë marrë nga shitja e tokës që kanë pasur në përdorim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›