E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkeologët restaurojnë kapelën bizantine të amfiteatrit

04/06/2010 Pastrohet mozaiku, gati për sezonin turistik

DURRES- Prej katër ditësh kanë nisur punimet restauruese pastruese në mozaikun mural të amfiteatrit të Durrësit, i cili njihet ndryshe si kapela bizantine. Mozaiku gjendet në një prej galerive të amfiteatrit dhe daton në shekullin e V pas Krishtit. Punimet për pastrimin dhe restaurimin e tij po kruhen nga dy arkeologë restauratorë, një nga Drejtoria rajonale e Monumenteve të Kulturës Durrës dhe tjetri nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, nën drejtimin e Agron Islamit, shef i sektorit të artit në IMK. Këto punime kryhen për shkak se mozaiku ka marrë papastërti dhe alga të gjelbra që krijohen nga lagështira në dimër dhe vendi ku ai është ndërtuar. Kjo pjesë është gjithashtu mjaft e vizituar nga turistët e huaj dhe bëhet me qëllimin që të jetë gati për vizitat e turistëve. Punimet do të zgjasin 10 ditë, shprehet arkeologu restaurator Kleidi Zguro, ndërkohë që në përfundim të këtyre punimeve mozaiku pritet të nxjerrë në pah ngjyrat dhe cilësitë e tij të veçanta. Ky mozaik është tepër i rrallë, mozaikët muralë janë mjaft të rrallë dhe në vendin tonë mund të jenë shumë pak të tillë. Mozaiku (kapela bizantine) merr rëndësi të veçantë sepse 3 shekuj pas ndërtimit të amfiteatrit ky u bë përsëri i përdorshëm. Ajo çka tregon mozaiku ende nuk është përcaktuar me saktësi, por mendohet se aty tregohen figura të shenjtorëve, ose ajo e perandorit bizantin Aleksandër. Një gjë është e sigurt se mbishkrimet e shkruara në gjuhën greke në mozaik i dedikohen atij dhe ato përkthehen: “Zot, ndihmoje shërbëtorin tënd, Aleksandrin”. Durrësi trashëgon pasuri të konsideruara arkeologjike një pjesë e të cilave janë bërë objekt i zbulimeve, ndërsa të tjera presin fonde për të dalë në dritë. Amfiteatri i Durrësit ka tërhequr vëmendjen e arkeologëve të shumtë ndërkombëtar, një pjesë e të cilëve i janë përkushtuar zbulimeve në Durrës. Një vit më parë në vendin e quajtur “Çesmja e Ferrës” janë nxjerrë në dritë 180 kg material të terakotës dhe qindra figurina të saj janë bërë objekt zbulimi nga arkeolog shqiptarë e francez. Universiteti Liles në Francë ka organizuar ekspedita kërkimi e zbulimi në Durrës nisur nga harta e gjetjes së rrënoja me pasuri të veçantë arkeologjike. Kërkimet në Durrës kanë vijuar për disa muaj deri sa arkeologët janë bindur të konkluzionet e tyre lidhur me praninë e një pasurie të hershme arkeologjike në Durrës. Zbulimet e realizuara ne vendin e quajtur “Çesmja e Ferrës” kanë dhënë dëshmi të reja, duke krijuar bindjen lidhur me pasurinë e madhe arkeologjike që strehon Durrësi në disa zona të njohura si vendbanime të hershme apo edhe punishte. Gjithnjë sipas studiuesve të arkeologjisë dhe departamentit përkatës në Tiranë të gjitha zbulimet tek “Çesmja e Ferrës” duhet t’i përkasin shekullit IV-V p.e.s. Figurinat prej balte e kanë ruajtur “freskinë” edhe pse kanë kaluar shekuj që nga koha e pranisë së tyre. Qyteti i Durrësit ka disa punishte të tilla me një histori shumë të hershme, e cila lidhet me kohën e sundimit të ilirëve. Këto fakte kanë mundur të mbijetojnë deri në ditët tona, duke bërë që Durrësi të jetë pjesë e guidave turistike për shkak të pasurisë së veçantë e cilësore të pasurisë arkeologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›