Toldo titullar, Mourinjo kërkon fitoren
Mourinjo kërkon vazhdimësi edhe në Ligën e Kampionëve. "Për të qenë të parët në kampionat dhe në grup, duhet të vazhdojmë në rrugën ku jemi. Këto ndeshje fshehin shumë të papritura. Si trajner, preferoj të jem i qetë, por nuk dihet se si do të reagojë skuadra pas asaj ndeshjeje kundër Romës. Nëse sonte Interi bën një ndeshje të shëmtuar, nuk do të jetë skuadra e parë që dështon pas një ndeshjeje fantastike. Por ne duhet të luftojmë kundër kësaj tendence, e cila ndonjëherë i kaplon të gjithë."
KUNDERSHTARI - Portugezi i paralajmëron të tijtë për kualitetet e ekipit të Anorthosis. "Eshtë një skuadër e mirë, e kemi studiuar shumë dhe dëshiroj t'i jap komplimentet e mia Ketsbaias. Skuadra e drejtuar prej tij lëviz mirë në fushë, është e organizuar dhe nuk është rastësi që ndalën Verderin. Ndeshja e sotme do të jetë me rëndësi themelore për ne, pasi mund të na çojë në 7 pikë në klasifikim. Por, nëse nuk arrijmë të fitojmë, do ta kemi pisk," - u shpreh portugezi i Interit.
FORMACIONI - Do të luajë Toldo, kurse Hulio Cezar këtë herë do të pushojë. Toldo do të ketë rastin sonte të shfaqë aftësitë e tij në fushë dhe të gjithë presin një ndeshje të bukur prej tij. Edhe Mourinjo e vlerëson shumë portierin e vet dhe e ka deklaruar që përpara ndeshjes se do të luajë ai, ndërkohë që pjesa tjetër e formacionit mbetet enigmë, sidomos sulmi. "Nuk dua të tregoj asgjë përpara ndeshjes. Kemi Adrianon, Ibrën, Kuarezman, Mançinin, Balotelin, Kruzin. Obina dhe Krespo nuk janë në listë, Figo është i dëmtuar. Zgjedhja është e gjerë, por mua më intereson vetëm fitorja. Nesër do të mund të jemi të qetë, thuajse të kualifikuar, nëse fitojmë, prandaj e konsideroj sfidën kundër qipriotëve të Anorthosis një ndeshje shumë vendimtare," - pohoi Mourinjo.