Trajneri Memushi pothuajse është njohur me të gjithë lojtarët dhe tani pret fitoren e parë që në nisje
Kur ndeshja e javës, midis Tomorit dhe Laçit, që do të zhvillohet pa praninë e tifozërisë në stadiumin Roza Haxhiu të qytetit të Lushnjës, është fare afër, trajneri Memushi ka zhvilluar takimin e parë të kontrollit në fushën e aviacionit në Kuçovë. Në këtë takim, Memushi ka pasur si synim testimin fizik dhe teknik të secilit futbollist, duke nisur nga ata të formacionit bazë deri tek lojtari më i fundit.
Siç e ka sqaruar edhe vetë trajneri, qëllimi ka qenë i qartë: testimi i çdo futbollisti për të arritur më pas në një ide sa më të qartë në ndërtimin e një formacioni sa më funksional. Ndryshe nga paraardhësi i tij, vlonjati gradualisht po fut një mentalitet të ri në lojën e beratasve, duke i dhënë përparësi stërtvitjes në planin fizik dhe në lojën me top.
Para takimit me Laçin, trajneri në një mënyrë krejt të veçantë ka ftuar lojtarët e tij për të votuar për njeriun që do të mbajë shiritin e kapitenit në këtë ekip, ku pas procedurave të hapura, është zgjedhur kapiten sulmuesi i njohur Klodian Arbri. Për sa i takon formacionit që Memushi do të hedhë në lojë, gjasat janë që të jenë po ata lojtarë që kanë luajtur nga minuta e parë në katër takimet e para, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndryshime, gjithmonë të kushtëzuara nga kondicioni fizik i futbollistëve.
Tifozëria E rëndësishme është që trajneri në takimin e tij të parë zyrtar me Tomorin do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët titullarë, por ajo që do të mungojë në këtë sfidë kaq të rëndësishme, është tifozëria beratase, e cila ka vendosur të udhëtojë për në Lushnjë për ta ndjekur ekipin jashtë stadiumit, duke shfrytëzuar objekte rrethanore.
Lajmi i mirë ka të bëjë se kjo e fundit vetëm pak orë para kësaj sfide ka ndërmarrë një nismë të rëndësishme. Nëpërmjet një takimi të zhvilluar në mjediset e stadiumit të ri, grupet e tifozërisë, që deri në këtë moment kanë qenë të ndarë në tre të tillë, kanë vendosur të bashkohen në një të vetëm, duke e emërtuar me emrin Tigrat e Tomorit. Ky grupim, sipas fansëve të tij, do të ketë një mentalitet krejt të ri, ku si qëllim kryesor do të ketë shmangien e veprimeve të dhunshme në stadium dhe jashtë tij.