Çipi: Flamurtari nuk ka treguar ende më të mirën e tij
Shefi i klubit vlonjat pohon se ekipi është në rrugën e duhur dhe në ndeshjet në vijim kuqezinjtë kanë për ta ngritur nivelin e lojës
Flamurtari është në rrugën e duhur dhe në këto momente mund të flitet me siguri se ekipi nuk ka dhënë maksimumin. Kështu deklaron shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, që është i qartë në fjalët e tij, kur pranon se nga Flamurtari pritet më shumë, duke konfirmuar se në javët e ardhshme ekipi ka mundësi të dalë në lojën që të gjithë kërkojnë në këtë sezon futbollistik në Vlorë dhe me gjerë, por mbi të gjitha rezultatet që dëshirohen nga drejtuesit dhe sportdashësit.
Mendoj se këto dy javë ndërprerje të kampionatit kanë qenë të mjaftueshme për skuadrën për tu përgatitur maksimalisht për ndeshjen e radhës, por jo vetëm. Flamurtari është një ekip për të cilin nuk mund të mendohen hapat falsë, mbi të gjitha në takimet që luhen në shtëpi, ndaj ajo që presim të shtunën është vetëm fitorja.
Nuk e njoh shumë Pogradecin, por nuk mendoj se duhet nënvlerësuar, pasi është një ekip superlige dhe të gjitha ekipet, kryesisht ato që vijnë nga një kategori më poshtë, kanë entuziazmin, sidomos gjatë javëve të para të kampionatit. Pogradeci është një ekip që ka arritur dy fitore dhe mendoj se kanë një ekip simpatik. Megjithatë, ajo që kemi kërkuar edhe nga futbollistët është të mos shihet ekipi kundërshtar, por vetëm ecuria e Flamurtarit.
Kjo është ajo që na intereson më shumë dhe aty duhet të ndalemi. Unë nuk dua këtu të bëj një analizë të pragndeshjes, pasi janë futbollistët dhe stafi teknik që mendon për këtë qëllim. Ajo që na intereson është ecuria e Flamurtarit dhe mund të themi se deri tani, pas vetëm katër javësh, të cilësosh një ekip pretendent, nuk është e drejtë, thekson sekretari i klubit vlonjat.
Objektivat Dihet se cili është qëllimi i Flamurtarit, të qëndrojë gjithmonë mes ekipeve të kreut, pse jo i pari, duke mos lënë mënjanë as kompeticionin tjetër të Kupës së Shqipërisë, një tjetër objektiv që mendoj se është madhor për Flamurtarin. Por në këto momente shpërqendrimi nuk duhet të lejohet dhe ekipin duhet ta lëmë të mendojë veç për Pogradecin.
Të kalojmë me sukses këtë sfidë, për të cilën mendojmë se kështu do të ndodhë, pastaj do të vijojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës. Jemi në një situatë të mirë, të paktën kështu e mendojmë, duke u bërë një punë shumë e mirë dhe cilësore. Tashmë të presim vetëm rezultatet, për të cilat të jeni të sigurt nuk do të mungojnë dhe Flamurtari do të kthehet aty ku e meriton, në majë, – përfundon shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi.
