E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare kthehet në fushë... për bamirësi

Igli Tare do ta heqë për një mbrëmje kostumin e zyrtarit dhe do të riveshë atë të futbollistit. Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, tashmë menaxher i skuadrës te Lacio, por që kryen edhe funksionet e drejtorit sportiv, do të zbresë në fushë... kësaj radhe për bamirësi. Ai do të luajë në "Ndeshjen e Zemrës", aktivitet që do të zhvillohet në Firence më 27 tetor. Skuadrat në stadiumin "Galuco" do të jenë ajo e ish-lojtarëve të Fiorentinës, e menaxherëve dhe e drejtorëve sportivë në klubet italiane, ndërsa fondet e mbledhura do t‘i kalojnë fondacionit "Tomasino Baçoti", për studimin dhe kurimin e tumoreve cerebrale dhe për të ndihmuar familjarët e personave me këtë problem.

Ndërkohë, ish-sulmuesi ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për të përjavshmen "Bota Shqiptare", e cila shërben si gazeta e bashkëkombësve tanë në Itali. Ai ka folur për futbollin shqiptar, organizimin e dobët që ekziston në vendin tonë dhe disnivelin e madh me kampionatet evropiane. Duke iu rikthyer të kaluarës ai tha: "Fillimisht emigrova në Greqi, por atje nuk më lejonin të aktivizohesha, pasi nuk isha vorio-epirot. Duhej të zgjidhja mes kthimit mbrapsht, ose heqjes dorë nga kombësia shqiptare dhe marrja e asaj greke. Ishte diçka absurde, të cilën nuk doja ta pranoja. Gjeta mënyrën për të shkuar në Gjermani, ku duhej të luaja në kategorinë e tretë. Ishin vite të vështira dhe plot trishtim. Më pas kalova te Karlsruhe dhe i përkisja atij brezi që u hapi rrugën futbollistëve të tjerë shqiptarë, mbi të gjitha në Gjermani". Ndërsa për projektet e ardhshme dhe mundësinë e rikthimit në Shqipëri për të ofruar eksperiencën e tij, 35-vjeçari tha: "Ëndrra ime është të vendos njohuritë që kam fituar gjatë karrierës sime në shërbim të futbollit shqiptar. Mbase si trajner, ose duke hapur ndonjë shkollë... Nuk e di kur do të ndodhë, por kjo mbetet në projektet e mia".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›