E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA i mbyll përsëri derën Kosovës

FIFA "rrëzon" Kosovën. Për të disatën herë, institucioni që drejton futbollin botëror nuk e ka pranuar kërkesën e Federatës Kosovare për t‘u "ndjerë" e barabartë me simotrat e saj. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ekzekutiv nga Zyrihu erdhën lajme të këqija: nuk do të lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore me përfaqësueset që janë anëtare të FIFA-s.

Disa javë më parë, Asociacioni i Federatave pranë këtij institucioni e kishte përkrahur FFK-në lidhur me kërkesën e saj, që kombëtarja e Kosovës së paku të zhvillonte ndeshje miqësore ndërkombëtare, deri në pranimin e saj zyrtar si anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s. Kërkesa i kaloi për shqyrtim Komitetit Ekzekutiv të "qeverisë" së futbollit botëror dhe shpresohej në hapësira ligjore që lejon neni 10 i statutit. Megjithatë, në mbledhjen e zhvilluar të premten, organizmi i drejtuar nga presidenti Sep Blater e refuzoi kërkesën. "Komiteti Ekzekutiv refuzoi kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kosova ende nuk i plotëson kushtet, sipas nenit 10-të statutit të FIFA-s. Përveç kësaj, Kosova është informuar se nuk mund të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare me përfaqësueset e federatave, të cilat janë anëtare të FIFA-s", ishte deklarata e sekretarit të përgjithshëm, Zherom Valke, në konferencën e dhënë për mediat, pas përfundimit të takimit në Komitetin Ekzekutiv. Në anën tjetër, sigurimi i një reagimi nga krerët e FFK-së për këtë vendim ishte i pamundur, pasi telefonat e tyre ishin të fikur. Me këtë refuzim të Komitetit Ekzekutiv, përfaqësuesja kosovare privohet nga mundësia për të zhvilluar ndeshje testuese me përfaqësueset anëtare të FIFA-s. Së fundmi, ky institucion i ka anuluar kombëtares së Kosovës dy ndeshje miqësore kundër Arabisë Saudite dhe Beninit. Ndërkohë, nuk duhet harruar edhe miqësorja e anuluar gjatë verës me përfaqësuesen olimpike të Brazilit (ku luanin Ronaldinjo, Pato e Robinjo), përpara fillimit të Lojërave Olimpike ne Pekin. Shkak u bënë vonesat procedurale dhe mungesa e një përgjigjeje përfundimtare nga FIFA, nëse sfida me skuadrën e drejtuar nga Dunga do të lejohej apo jo.

Përveç kërkesës për zhvillimin e ndeshjeve miqësore, Asociacioni i Federatave kishte shqyrtuar edhe kërkesën që FFK-së t‘i njihet e drejta e certifikatës ndërkombëtare për transferimin e futbollistëve. Kjo do t‘i ndihmonte klubet kosovare nga largimi i lojtarëve të tyre pa asnjë dëmshpërblim. Megjithatë, kjo çështje nuk është përmendur në konferencën përpara mediave. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, FIFA dhe UEFA kishin bërë të ditur se aderimi i Federatës së Futbollit në shtetin më të ri evropian do të bëhej vetëm pas njohjes së Kosovës nga OKB-ja.

Neni 10

"Një federatë, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe mbikëqyrjen e futbollit në vendin e saj, mund të bëhet një anëtare e FIFA-s. Në këtë kontekst, shprehja ‘vend‘ do t‘i referohet një shteti të pavarur, i njohur nga komuniteti ndërkombëtar", thuhet në nenin 10, paragrafi i parë në statutin e FIFA-s



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›