E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristiano Ronaldo: E meritoj "Topin e Artë"

Nuk vuan asnjëherë nga mungesa e besimit tek aftësitë e tij. Këtë, Kristiano Ronaldo e tregon jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Ylli i Mançester Junajted mendon se do ta fitojë "Topin e Artë", sepse e meriton këtë trofe prestigjioz, madje shkon edhe më tej, duke thënë se Lionel Mesi dhe Ksavi nuk janë rivalë seriozë. Mesfushori portugez është kandidati kryesor për t‘u shpallur "Lojtari Evropian i Vitit" dhe në një intervistë, për "Gazzetta dello Sport", tha: "Nuk shoh ndonjë futbollist që mund të më rivalizojë (për ‘Topin e Artë‘) dhe ndjehem mjaft i qetë (përpara votimit)". Më tej, ai u shpreh se e meriton edhe çmimin si "Lojtari më i Mirë në Botë" për vitin 2008. Gjatë sezonit të kaluar, Ronaldo shkëlqeu: realizoi 42 gola me "Djajtë e Kuq" dhe ndihmoi skuadrën të fitonte titullin në Angli dhe Ligën e Kampionëve. "Sinqerisht, po, kam besim se do t‘i fitoj", pohoi 23-vjeçari rreth vlerësimeve më prestigjioze individuale. "Nëse përmbledhim të gjitha paraqitjet e mia gjatë edicionit të kaluar, mendoj se kam bërë më shumë se të gjithë të tjerët. Çfarë duhej të kisha bërë më për të fituar ‘Topin e Artë‘ dhe çmimin e FIFA-s si ‘Lojtari i Vitit‘?". Mesfushori bëri të ditur se në javët e fundit të sezonit dhe në Euro 2008 ka vuajtur "tortura të vërteta", për shkak të problemeve në kavilje, që më pas sollën ndërhyrjen kirurgjikale. Por, tashmë që duket plotësisht i rikuperuar, ai synon të fitojë sërish Champions-in. "E dua edhe fitoren e dytë të këtij trofeu. Do të përqendrohemi maksimalisht për këtë, por jam i shqetësuar nga Interi dhe Juventusi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›