"Top Channel", gëzuar shtatëvjetorin!
Në vitin 2001 u krijua media televizive më e madhe dhe më e dashur në vend. Shtatë vjet më parë lindi "Top Channel", i cili sot është kthyer në median më të madhe dhe të dashur për të gjithë shqiptarët. I krijuar nga ideja, por edhe projekti gjigant i njeriut të pasionuar, Presidentit të ndjerë të "Top Media"-s, Dritan Hoxha, "Top Channel" hyri dje në vitin e tij të tetë, me fuqinë e një lideri mediatik dhe me përkrahjen e mbarë shqiptarëve kudo që ndodhen. "Top Channel" ishte realizimi i një ëndrre e cila shumë shpejt, për të gjithë ata që iu bashkuan asaj, u bë realitet. Që nga ajo kohë, ky televizion është rritur suksesshëm, duke u vlerësuar prej publikut si një nga televizionet më të ndjekura e më të preferuara në vend. Që nga koha e krijimit të tij e deri më sot, "Top Channel", gjithnjë e më shumë është kthyer në një mbështetje qytetare. Me programet e spektaklet e tij, me teknologjinë e lartë, si dhe me profesionalizmin e vazhdueshëm, televizioni "Top Channel" vazhdon të jetë një garanci suksesi e mbështetjeje për audiencën. Stafi i gazetës "Shqip" i përcjell urimet më të përzemërta televizionit lider të shqiptarëve dhe i uron suksese në rrugën e profesionalizmit dhe standardeve bashkëkohore që ka arritur në këtë rrugë 7-vjeçare.