E Shtunë, 31 Tetor 2026

E parezistueshmja Eva Herzigova

Në Paris ka rënë nata. Si të gjithë stilistët në këtë orë edhe Karl Kagerfeld është zgjuar, madje duke punuar në atelienë e tij. Kësaj radhë stilisti me flokët e bardhë dhe veshjen e çuditshme po krijon një eksperiment të ri me veten, atë të të qenit fotograf. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Çdo risi që ka lidhje me karrierën e tij profesionale kërkon ta provojë me Eva Herzigovën, modelen e tij të preferuar që nga viti 1991. Të dy së bashku kanë vendosur të nxjerrin një kryevepër për vitin që vjen: kalendarin "Marie Clarie 2009". Në moshën 35-vjeçare dhe me 20 vjet karrierë mbi shpinë, zonja Herzigova është një grua dhe nënë e adhuruar me shumë kontrata miliona dollarëshe e një familje për t‘u pasur zili.

Në cilin muaj të kalendarit do ta shohim Eva Herzigovën e vërtetë?

Në prill dhe shtator. Aty gjenden dy shpirtrat e mi: ai i forti, i ashpër, i disiplinuar dhe ai i kundërti, i brishtë, fëmijëror. Megjithatë, ka qenë argëtuese puna që kam bërë bashkë me Karlin për t‘i dhënë shumë jetë këtij kalendari. Të punosh me të është kënaqësi e vazhdueshme.

Është e lehtë ta ndjekësh, të jesh ajo që ia kërkon?

Për mua ka qenë gjithmonë e lehtë. Që nga fillimi, nga bashkëpunimet e para si modele e deri te projektet e fundit së bashku, me atë që kishte marrë rolin e fotografit. Një shërbim fotografik për "Vogue" në Australi dhe një foto-histori frymëzuar nga "Portreti i Dorian Greit", një nga librat e mi të preferuar.

Kush e interpretonte Dorian Grein?

Unë dhe një model, sigurisht me ndihmën e makijazhit që bëri punën e vet. Karl është edhe një regjisor shumë i mirë.

Larg nga bota e modës, si është Karl Lagerfeld?

Një njeri shumë bujar, një njeri që më dhuron vazhdimisht libra. Një njeri që ka eksperienca të këndshme për të treguar dhe një kulturë të jashtëzakonshme.

Jeni një top modele simbol i viteve ‘90, emblemë e një revolucioni, atij të modeleve të para nga vendet e Lindjes?

Nuk e kisha vënë re. U nisa nga Litvinov për në Paris në moshën 16-vjeçare, në vitin 1989. Në Çekosllovaki kishte nisur revolucioni. Të gjithë donin të shihnin se si qeniet njerëzore që jetonin në ato vende donin të liroheshin nga diktatura. Unë nuk mendoja fare për këtë.

Po për çfarë mendonit?

Që më në fund do të mund të jetoja pa prindërit dhe do mund të dilja për qejfin tim në një kryeqytet të madh evropian. Vij nga një familje konservatore, vajzë e dy prindërve punëtorë, njerëz të ndershëm dhe të disiplinuar. Nëse shkoja në kinema në Litvinov, kur kthehesha më duhej të tregoja subjektin e filmit për t‘i bindur ata se kisha qenë vërtet në kinema.

Çfarë kujtimesh ruani nga turma në sheshin "Shën Vançeslao"?

Sigurisht që mbaj mend qirinjtë. Isha dhe unë në shesh, me një ekip të "Canal Plus", televizioni francez që më kishte zgjedhur si shembullin e rilindjes çeke. Më kujtohet im atë, që e intervistuam në zyrën e tij në minierë, i cili fliste plot pesimizëm: "Këtu nuk do të ndryshojë asgjë, këtu çdo lëvizje dështon". Gabohej rëndë.

Por ndërkohë ju jetonit në Paris?

Jetoja, ose më mirë mbijetoja me 500 franga në muaj dhe 12 orë punë në ditë. Gjysmën e parave i harxhoja për të blerë abonentë e metrosë. Nuk kisha "Mercedes" që të më priste. Pjesën tjetër të parave e harxhoja për t‘u veshur dhe për të ngrënë. Banoja në apartamentin e pronares së agjencisë ku punoja, sepse prindërit e mi pretendonin se jetoja me ndonjë djalë.

Mendoni se keni kontribuar në pushtimin e pasarelave me modele nga Lindja?

Ndonjëherë edhe e mendoj. Në një vend si ai imi, ku ishte zakoni i të ndjerit të frikësuar, paragjykuar dhe shtypur, një shembull suksesi mund t‘i ketë bërë vajzat e tjera të ëndërrojnë. Ndoshta kjo ndodh edhe sot: Lindja është një botë shumë maskiliste. Nëse punoj me më të rinjtë, më kujtohet vetja e 20 viteve më parë. Sapo më ka ndodhur me Ana Selezneva, një modele 18-vjeçare. Unë e trajtoja njëlloj, si profesioniste. Por ajo, edhe pse ishte shumë aktive në pasarela, vazhdonte të ishte shumë e turpshme.

Çfarë pasioni ka pasur tjetër Eva, veç atij të modeles?

Pasionin për fotografinë. Që nga fillimi, në Paris, të sfidoja nuk më interesonte. Nuk ëndërroja të isha Linda Evanxhelista, Tuixhi apo Veruaka, por grisja faqet me fotografitë më të bukura dhe i ngjisja nëpër mure. Në agjenci nuk kam thënë kurrë: "Dua të jem si kjo apo ajo modele", por gjëra të tipit "dua të punoj me Peter Lindberg". Që në moshën 17-vjeçare kisha mësuar shumë për fotografinë.

Përse nuk studiuat për fotografi atëherë?

U përpoqa ta bëja këtë në vendlindjen time. Por pas tre leksionesh, u mërzita dhe hoqa dorë.

Keni bërë ndonjë foto të bukur, meqë e keni pasion?

Po, kam bërë një foto bardhezi, ku kam nxjerrë tim atë. Duket si Xhejms Din, ashtu i veshur me një xhaketë xhinsi dhe një shprehje joshëse. Ka qenë shumë i bukur, kampion kombëtar i notit. Por ai imazh më përcjell ndjenjën e brishtësisë dhe bukurisë së jetës.

Çfarë humbët në ato vite për shkak të punës?

Në fakt përfitova nga ana e panjohur e kësaj pune dhe them se mësova më shumë se sa humba. Asnjëherë nuk e kam vrarë mendjen për modën apo statusin e personit të famshëm. Unë doja të udhëtoja, të mësoja gjuhë, të njihja vende të reja. Këto quhen eksperienca jete, një shkollë që të mëson të shohësh limitet dhe përgjegjësitë e tua. Kjo zakonisht kuptohet kur je 50 vjeçe. Ato që humba duhet t‘i kem tani: shoqet e ngushta, studimin dhe leximet.

Do të riktheheni sërish në shkollë?

Kam nostalgji për kohën e detyrave dhe provimeve. Të nis të studioj sërish. Megjithatë, sot blej shumë libra për ta kompensuar.

Çfarë librash blini?

Biografi, romane, por mbi të gjitha libra fotografie dhe arti. I fundit është një kryevepër e Jozef Koudelkas për Pragën e vitit 1968. Sigurisht që tani ka ndryshuar shumë, edhe pse gjithmonë ka qenë e bukur.

Le t‘u kthehemi edhe njëherë fillimeve. Kur mbërritët ju kishit përkrah Klaudian, Naomin, Sindin. U bëtë shoqe menjëherë?

Jemi të gjitha pak mikesha (qesh). Unë dhe Kejt Moss ishim më të rejat.

Na tregoni pak më shumë...

Në sfilatën time të parë me Azedine Alaia, modelet më lanë të kuptoja se isha më e reja aty. Në fillim njëra më gjuajti me çokollatë, ndërsa në fund një tjetër u dha të gjithave shampanjë përveç meje. Vetëm Xhasmine Le Bon më mbrojti, ndaj ende sot e kam aq shumë për zemër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›