Top dhe Flop, sukseset dhe dështimet
“Albania” nis një rubrikë të re të sajën, por që ekziston prej vitesh në faqet e gazetave e famshmja “Top&Flop” ose e shqipëruar “Majë e fund”, apo në një version më popullor “Hip e zbrit”. Duke parë 7 javët e zhvilluara deri tani në Kategorinë Superiore, mund të vëresh fare lehtë dukurinë “Top&Flop”. Dinamo, Besa e Apolonia janë skuadrat e momentit në Superligë dhe pretendente të qarta për titullin e sezonit 2009-2010. Për Dinamon kjo përkon edhe 60-vjetorin e themelimit të klubit blu. Flamurtari, Vllaznia e Tirana janë të dështuarat e mëdha të këtij fillimsezoni.
SULMI
TOP-TRE
Apolonia e vendit të tretë, me 13 gola të shënuar në 7 javë, është dhe skuadra që ka realizuar më shumë. Dinamo e vendit të parë, ka realizuar 12 gola, po aq sa Skënderbeu i vendit të pestë. Skënderbeu është skuadra e vetme që ka mundur të shënojë dy herë nga katër gola në një ndeshje të vetme: Skënderbeu-Laçi 4-3 dhe Skënderbeu-Gramozi 4-1.
FLOP-TRE
Vllaznia është skuadra që ka shënuar më pak gola: 3 në 7 javë (më pak se gjysmëgoli për ndeshje). Vllaznia nuk shënoi katër javë rresht. Gramozi është skuadra e dytë që ka shënuar më pak, 4 gola. Në podiumin “Flop” janë dhe Tirana e Tirana. Dy triumfueset e sezonit të kaluar, Tirana-kampione, e Flamurtari-fituese e Kupës së Shqipërisë, kanë realizuar nga 5 gola.
MBROJTJA
TOP-TRE
Besa është skuadra me mbrojtjen më të mirë në 7 javët e kampionatit: vetëm një gol i pësuar në 630 minuta. I vetmi gol o pësuar nga portieri Orges Shehi është ai në takimin e fituar me Shkumbinin e Peqinit në javën e 2-të, 2-1. Nga ai takim, në pesë javët e fundit, Besa nuk ka pësuar gol. Dinamo rezulton me mbrojtjen më e dytë më të mirë, 3 gola, Vllaznia e treta, me 6 gola.
FLOP-TRE
Tre skuadrat në podiumin “Flop” kanë pësuar të njëjtin numër golash: 11, si Skënderbeu i vendit të pestë, ashtu dhe Flamurtari e Laçi që ndajnë bashkërisht dy vendet e fundit të renditjes së Superligës.
SKUADRAT
TOP-TRE
Dinamo, vendi i tretë i sezonit të kaluar, është dhe skuadra e momentin në Superligë. Blutë e Shkëlqim Muçës ndodhen në vendin e parë: 19 pikë, 6 fitore e 1 barazim. Besa, me 17 pikë, ndodhet në shkallaren e dytë. Edhe verdhezinjtë e Shpëtim Duros nuk kanë pësuar asnjë humbje në shtatë javët e para. Podiumi kompletohet me “Zonjushën” Apolonia të udhëhequr nga serbi Esad Karishik: vendi i tretë, 15 pikë, 5 fitore, 2 humbje.
FLOP-TRE
Janë tre skuadrat që dominuan në Kampionatin e 70-të Kombëtar të futbollit: Tirana, Vllaznia e Flamurtari, dështimi i madh i këtij fillimsezoni. Flamurtari, fituesja e Kupës së Shqipërisë gjatë sezonit të kaluar, ndodhet në vendin e 11-të (6 pikë, 2 fitore, 5 humbje). Nëse kampionati i Kategorisë Superiore do të mbyllej tani, Flamurtari do të rrëzohej në Kategorinë e Parë. Vllaznia, nënkampione e edicionit 2008-2009 ka grumbulluar vetëm 7 pikë nga 21 të mundshmet. Tirana, kampione në fuqi dhe rekordmene e Shqipërisë përsa i përket titujve kampionë, 24, e ka nisur shumë keq sezonin aktual: 8 pikë në 7 ndeshje, vendi i 7-të, por 11 pikë larg kryesueses Dinamo (18 pikë). Të tria skuadrat i bashkon një fill i përbashkët: drejtohen nga trajnerët e dytë sezonalë.
Tirana, pas vetëdorëheqjes së kroatit Ilija Lonçareviç, drejtohet nga dyshja Alban Tafaj-Nevil Dede. Vllaznia, pas shkarkimit të Hasan Likës, në komandë ka Roland Luçin. Te Flamurtari, pas dështimit të Eqerem Memushit, në bankinën e “minuar” është ulur Gugash Magani, por edhe ky i fundit drejton kuqezinjtë, pasi vetë është dorëhequr nga Shkumbini.
Skela bën thirrje: “Kuptoni situatën!”
“Secili duhet ta kuptojë, që çdo në ndeshje luan me ekzistencën (në Bundesligën 2)”. Ky është paralajmërimi i Ervin Skelës, blerjes së fundit të Tus Koblenc, i cituar nga prestigjiozja gjermane “Kicker”. Skuadra e “pesë shqiptarëve” do të luajë në transfertë kundër Greuther Fyrth. Statistikat janë kundër Koblencit, pasi në katër ndeshje jashtë shtëpisë ka grumbulluar vetëm një pikë (1 barazim, 3 humbje) dhe detyra përballë Fyrthit është shumë e vështirë. Kujtimi më i freskët i kapitenit të Kombëtares shqiptare nga “Playmobil-Stadion” është humbja 2-1 e Shqipërisë në miqësoren me Greuther Fyrth, përpara se kuqezinjtë e Kuzhes të humbitnin 4-1 me Suedinë në ndeshjen e fundit kualifikuese të Kampionatit Botëror 2010. Në fakt, kjo ndeshje miqësore vendosi në një farë mënyre edhe transferimin e Ervin Skelës te Tus Koblenci. Trajneri i 1860 Muenchen, Edvald Lienen ishte i pranishëm në ndeshjen Greuther Fyrth-Shqipëri udhëtoi gati 170 km për të parë në aksion Skelën. Pikërisht pas këtij “skanimi” Skela pohoi se nuk mund të priste më gjatë, pasi ai vetë nuk kishte ndjerë ndonjë interesim të fortë nga skuadra e dytë bavareze në drejtim të tij, duke vendosur përfundimisht për tu bashkuar me Tus Koblenc, skuadra e tij e nëntë në Gjermani.
Botërori, Bosnja kërkon ndihmën e Kuzhesë
Bosnja do të përballet në play-of në një sfidë të dyfishtë me Portugalinë (14 e 17 nëntor 2009) për një biletë me drejtim Afrikën e Jugut. Media vendit ballaknik kërkon pikërisht ndihmën e trajnerit të Shqipërisë, kroatit Josip Kuzhe. Në fakt, kjo është një nismë e redaksisë së gazetës boshnjake “Dnevni List” për të marrë opinionin që ka Kuzheja në lidhje me Portugalinë, ndaj së cilës në krye të Kombëtares sonë humbi 1-2 në “Qemal Stafa” me një gol të minutës së fundit shtesë. Bosnja, e renditur e dyta në Grupin 5 (Spanja, e para me 10 fitore në 10 ndeshje), është përpara një evenimenti me rëndësi historike për vendin tri-kombësh ballkanik. Nëse do të kualifikohej në finalet e Kampionatit Botëror 2010 kjo do të ishte hera e parë për atdheun Edin Xhekos, të drejtuar nga një nga trajnerët më të mëdhenj të Kroacisë, Miroslav Blazheviç.
23 Tetor 2009