E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia, 15 kosovarë mbyten në lumin hungarez Tisë



Blerina Olldashi
15 kosovarë dyshohet se janë mbytur në lumin Tisa, që ndodhet në kufirin serbo-hungarez. Tragjedia ndodhi teksa ata po përpiqeshin të shkonin ilegalisht në Hungari dhe më pas në Francë. Lajmi konfirmohet nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme sipas së cilës vetëm tre persona i kanë mbijetuar kësaj tragjedie. Bëhet fjalë për Blerim Ramën dhe dy fëmijët e tij Erilda tre vjeçe dhe Rendin dy vjeç. Ende nuk është bërë i ditur fati i bashkëshortes së Blerim Ramës, Elvira Jaha 23 vjeçe. Policia kufitare e Hungarisë është duke kërkuar rajonin përgjatë kufirit midis Hungarisë dhe Serbisë, por deri tani nuk janë gjetur personat që tentuan të kalonin kufirin ilegalisht dhe as trupat e tyre, ka njoftuar të enjten policia hungareze. Reagimet e policisë kanë pasuar njoftimet e mediave se ka dyshime që 15 shqiptarë nga Kosova mund të jenë mbytur në Tisë, midis 14 dhe 16 tetorit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në Hungari.
Zëdhënësi i policisë hungareze, Çongrada Janosh Pal, citohet të ketë thënë se më 15 tetor, në afërsi të kufirit, është gjetur një burrë dhe dy fëmijët e tij, në gjendje kritike shëndetësore të shkaktuar nga hipotermia. Vajza kishte marrë trajtim të menjëhershëm shëndetësor, kurse vëllai i saj ishte transferuar në spital. Pal ka shtuar se pas këtij incidenti, autoritetet kanë nisur një procedurë penale kundër këtij personi dhe se tani fëmijet janë në gjendje të qëndrueshme. Shefi i policisë në Suboticë, Boro Muç, ka deklaruar dje se nga kolegët hungarezë është njoftuar se me rastin e kalimit të paligjshëm të kufirit në lumin Tisë, në anën hungareze është fundosur një barkë dhe se është gjetur një grua e vdekur, ndërkohë që kërkimet për të tjerët po vazhdojnë. Muçiq u ka thënë mediave serbe se informacionet janë duke u këmbyer nëpërmjet një komisioni të përzier, anëtar i të cilit është ai vetë në emër të Serbisë, dhe në anën e Hungarisë, gjenerali Janosh Lukaç. Fillimisht këshilltarja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri kishte deklaruar se prej tri ditësh kjo ministi ishte në kontakt me Budapestin zyrtar, por nuk kishte të dhëna konkrete, përveç një personi dhe dy fëmijëve të tij, të cilët kishin shpëtuar. “Ajo që është reale në tërë këtë histori, është që një person, bashkë me dy fëmijët e tij, ka shpëtuar gjatë përmbysjes së barkës. Deklaratat e para të tij janë që ka shpëtuar dy fëmijët e tij dhe ka humbur bashkëshorten. Në atë barkë supozohet të kenë qenë diku 15 ose 16 persona. Nga ngjarja kanë shpëtuar vetëm tre persona”,- theksoi Beqiri.

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›