E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli arreston në Itali vrasësin shqiptar



Në sajë të një bashkëpunimi të suksesshëm mes zyrës së “Interpol Tirana” dhe asaj “Interpol Roma” është mundësuar arrestimi në Itali i Fatjon Kodrës, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare policore, sipas të cilave, arrestimi i të shumëkërkuarit u realizua në Pavia të Italisë, pas informacionit të dërguar nga ana e zyrës së Interpolit në Tiranë homologëve italianë se Kodra ndodhej në territorin italian ku jetonte me gjeneralitete false. Bëhet e ditur se në momentin e arrestimit, 33-vjeçari Fatjon Kodra përdorte emrin Arben Bakalli. Identifikimi i shumë të kërkuarit, një njohës shumë i mirë i gjuhës turke, u bë nëpërmjet krahasimit të gjurmëve të gishtërinjve. Fatjon Kodra, 10 vjet më parë, tek Farmacia 10, në Tiranë ka vrarë me armë zjarri Sokol Pushën dhe ka plagosur Lulzim M., pas një grindje për motive banale. Gjykata e Tiranës me vendimin nr.807, datë 16.12.1999, e ka dënuar personin në fjalë me burgim të përjetshëm, për veprën penale të vrasjes me dashje në lidhje me një krim tjetër.

Plagos motoçiklistin gjatë daljes nga parkimi

Një shofer me automjetin e tij, tip Benz, duke dalë nga vendi i tij i parkimit është përplasur me një çiklomotor. Sipas të dhënave policore për, ngjarja ka ndodhur në qytetin e Bilishtit nga 52-vjeçari Bujar Nikolla, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. Bëhet me dijeni se nga ky aksident është dëmtuar drejtuesi i çiklomotorit i cili u çua menjëherë në spitalin e Bilishtit, ku pas mjekimit u largua për në banesë dhe nuk ka probleme për jetën. U kryen veprimet proceduriale për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal dhe autori do të ndiqet në gjendje të lirë dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës.

Gjen vdekjen duke punuar në fabrikën e çimentos

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm një punëtor ka gjetur vdekjen duke punuar në mjediset e fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë. Lajmi bëhet i ditur nga burimet policore, sipas të cilave viktima është 45-vjeçari Naim Baku, banor i fshatit Luz në Fushë Krujë. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe inspektore të Inspektoriatit të Punës së rrethit. Nga veprimet e para hetimore mendohet se shkaku i vdekjes mund të ketë ardhur si pasoje e dëmtimeve të shumta që i lartpërmenduri ka marrë gjatë kohës kur po punonte në njërën nga makineritë e fabrikës së çimentos, duke mos respektuar rregullat e sigurisë në punë. Ekspertët janë duke kryer ende hetime lidhur me ngjarjen dhe në përfundim të tyre do të vënë në dijeni publikun për shkaqet e vërteta që çuan rastin e përsëritur të humbjes së jetës së një punëtori në fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë.

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›