E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faza e tretë, publikohen pikët e fituesit të fundit për degët e shpallura në formularin A3



Jonida Tashi

Publikohen pikët e fituesit të fundit për degët e shpallura në formularin A3. Ditën e djeshme, Agjencia e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (APRIAL) ka detajuar se cili do të jetë pragu i fituesve që do të pranohen në fazën e tretë të pranimeve në universitete. Duke paraqitur edhe kuotat e mbetura bosh në secilën prej 215 degëve universitare që kanë ende vende të lira, APRIAL-i këshillon maturantët që do të konkurrojnë për të fituar shkollën e lartë në raundin e tretë, që të marrin parasysh pikët që kanë grumbulluar, para se të plotësojnë formularin A3. Kjo do të thotë se në këtë fazë ata duhet t’i përzgjedhin degët, jo më vetëm sipas preferencës së tyre, por duke marrë në konsideratë edhe pikët që kanë fituar deri në fazën e dytë të pranimeve, sipas të cilave nuk kanë arritur të shpallen fitues.
Plotësimi
Në formularin A3 maturantët kanë të drejtë të zgjedhin 10 programet e studimit, të renditura sipas preferencave të tyre. Në renditjen nga 1 në 10 duhet të vendosen kodet që përfaqësojnë programet e studimit. Në kuadratin pranë programit të studimit, duhet të vendoset numri i preferencës. Kodi i programit të studimit i shënuar te tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. Për shembull, nëse në preferencën e parë është shënuar programi i studimit 015, atëherë në kuadratin pranë programit të studimit 015 duhet të shënohet numri 1. Nëse gabohet në këto plotësime, si e vlefshme do të merret kodi i programit të studimit që është shënuar te tabela e preferencave (djathtas lart).
Fituesit
Kandidatët do të shpallen fitues vetëm në një nga programet e studimit që kanë zgjedhur sipas parimit Meritë-Preferencë, sipas të cilit: parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe, për programe studimi të caktuara, edhe në bazë të plotësimit të kritereve të veçanta, të vendosura nga universitetet dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit; parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Fituesit në një program studimi të zgjedhur, do të përcaktohen nga vendet në atë program studimi (kuotat), të cilat janë vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave. Kandidatët duhet të kujdesen që nota mesatare të shkruhet saktë me shifra dhe me fjalë nga mësuesi tyre kujdestar. Sipas udhëzimit të APRIAL-it, për plotësimin e formularit A3 është e detyrueshme që ai të plotësohet në pjesën e fundit me: Emër, mbiemër dhe firmë, tuajën; Emër, mbiemër dhe firmë të mësuesit kujdestar; Emër, mbiemër dhe firmë të drejtorit të shkollës si dhe vulën e shkollës. Mungesa e njërit prej këtyre elementeve e bën formularin e plotësuar të pavlefshëm. Për këtë arsye kandidatët duhet të kujdesen që formulari të plotësohet saktësisht dhe çdo e dhënë e tij të jetë e konfirmuar nga vetë ata. Sipas afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit, afati i fundit për plotësimin dhe dorëzimin e formularit A3 është data 26 tetor.

Afatet e dorëzimit dhe regjistrimi i fituesve
26 tetor, afati i fundit për dorëzimin e formularit A3
30 tetor, do të shpallet lista e kandidatëve fitues
1, 2, 3 dhe 4 nëntor, afatet e regjistrimit të fituesve

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›