Misioni europianolindor i Bajdenit, dje vizitoi Rumaninë
Vizita e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, në Europën Lindore shihet si një mundësi e mirë për të siguruar Poloninë, Çekinë e Rumaninë se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj sigurisë së këtyre vendeve. Dhënia e garancive është e nevojshme, veçanërisht pas vendimit kundërthënës të administratës Obama për të anuluar vendosjen e mburojës raketore në Poloni dhe Çeki. Megjithëse vendimi i presidentit Obama për ta ribërë nga e para planin raketor të Bushit ishte i drejtë, mënyra se si u publikua ishte larg nga të qenit e përsosur. Udhëheqësit çekë e polakë u informuan për vendimin në minutën e fundit, duke i bërë ata të ndihen si sende pavlerë, e jo si aleatë të vyer. Kjo ndikoi në keqinterpretimin se vendimi ishte për të kënaqur Rusinë. Ky perceptim është i gabuar. Vendimi ishte rezultat i ndryshimit të natyrës së rrezikut që vinte nga Irani. Por, pavarësisht të gjithave, raportet e Shteteve të Bashkuara me rajonin u dëmtuan. Në këtë kuptim, nënpresidenti Bajden duhet të artikulojë politika të qarta e kuptimplota, të cilat do të sqarojnë dhe vendin e Evropës Lindore në kuadër të strategjisë së përgjithshme amerikane në Europë dhe Euroazi. Mbështetja e publikut në Europën Lindore për Shtetet e Bashkuara ka njohur rënie dhe kjo si rrjedhojë e tre faktorëve: rikthimi politik dhe ushtarak i Rusisë, pasiguria e Europës ndaj mbrojtjes së NATO-s dhe pasiguria rreth tendencave të politikës së jashtme amerikane në raport me Europën.
Bullgari
Arrestohet një çift për trafikimin e 12 foshnjave
Policia bullgare arrestoi një çift shtetasish bullgarë të cilët akuzohen se kanë dërguar ilegalisht për adoptim në Greqi mbi 12 fëmijë me shtetësi bullgare, njoftoi Ministria e Brendshme e Bullgarisë. Burri, 38 vjeç, u mor në pyetje të dielën pasi ai u kap kur po përpiqej të kalonte kufirin drejt Greqisë. Ndërkohë bashkëshortja e tij, 38 vjeçe, u arrestua dy ditë më parë në qytetin Nova Zagora, në pjesën jugore të Bullgarisë.
Ata akuzohen për dërgimin ilegalisht në Greqi të mbi 12 grave bullgare të etnisë rome, të cilat ishin në muajin e fundit të shtatëzënisë.
Greqi
Policia sekuestron 135 kg heroinë
Policia greke shkatërroi një rrjet të trafikimit të drogës në Athinë, duke arrestuar nëntë persona të huaj dhe duke sekuestruar 135 kilogramë heroinë në një lagje në perëndim të kryeqytetit, njoftoi sot drejtoria e policisë. Policët arrestuan gjashtë sirianë të moshës 24 deri 39 vjeç, një person nga Bangladeshi 22 vjeç, një sudanez 30 vjeç dhe një shtetase rumune 27-vjeçare, të cilët trafikonin nga Turqia "një sasi të madhe heroine, që pasi e ndanin dhe e paketonin ua shpërndanin trafikantëve të tjerë në rajonin e Athinës, thuhej në një komunikatë të policisë së Athinës.
Serbi
Jeremiç i dërgon notë proteste Maqedonisë
Ministri i Jashëm serb Vuk Jeremiç ka deklaruar se Beogradi i ka dërguar një notë të ashpër proteste autoriteteve maqedonase për marrëveshjen mbi demarkacionin e kufijve me Kosovën e cila është mbyllur me Prishtinën. “E ashtuquajtura marëveshje e kufijve është rezultat i një vendimi arbitrar i institucioneve të Prishtinës e qeverisë së Shkupit, e cila është absolutisht e papranueshme për ne”- ka thënë Jeremiç në një intervistë që do të dalë nesër në të përditshmen serbe Vecernje Novosti. Pjesë nga kjo intervistë janë publikuar nga agjencia e lajmeve serbe “Tanjug”.
Holandë
Karaxhiç do të bojkotojë gjyqin e Hagës
Ish-udhëheqësi serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiq i ka thënë gjykatës në Hagë se ai synon të bojkotojë seancën e fillimit të gjyqit të tij të hënën. Zoti Karaxhiç i ka dërguar një letër Gjykatës Ndërkobëtare për Krimet në ish-Jugosllavi duke thënë se mbrojtja e tij “nuk ishte gati”. Ai i ka hedhur poshtë 11 akuzat për gjenocid, krime lufte dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje. Disa nga akuzat lidhen me masakrën e vitit 1995 të tetëmijë boshnjakëve muslimanë në Srebenicë. Ai u arrestua në Serbi dhe u transferua në Gjykatën e Hagës vitin e shkuar.
SHBA
Klinton flet për eliminimin e armëve bërthamore
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton thotë se eliminimi i ambicjeve bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut është kritik në mbështetje të përpjekjeve për mospërhapjen e armëve bërthamore. Në një fjalim në Uashington, ajo tha se një marrëveshje e re me Rusinë për pakësimin e armëve bërthamore do të demonstronte udhëheqjen amerikane për këtë çështje. Ajo tha se përpjekjet për të forcuar regjimin global të mospërhapjes së armëve bërthamore varen të paktën për të ardhmen e afërt tek zgjidhja e shqetësimeve lidhur me programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut.
23 Tetor 2009