E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli- Morales: Forcim marrëdhënieve Shqipëri-Australi

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim Zv/Ministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles dhe delegacionin që e shoqëronte.
Në takim, kryetarja e Kuvendit dhe Zv./Ministri Marles ndanë të njëjtin mendim se kjo vizitë është një pikënisje për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve si dhe nxitjen e nënshkrimit të memorandumeve e marrëveshjeve të bashkëpunimit.

Kryetarja Topalli njohu z.Marles me arritjet dhe reformat e suksesshme që Shqipëria ka shënuar në vitet e fundit, investimet në infrastrukturë, turizëm, dixhitalizim, e veçanërisht në fushën e ekonomisë ku dhe shprehu interesin për nxitjen e investimeve australiane në vendin tonë.

“Ne jemi në rrugën e transformimit. Shqipëria, një vend i rrethuar nga kriza, falë filozofisë së suksesshme të reformave nuk ra në recension dhe është i vetmi vend në Europë që vijon prej disa vitesh resht të shënojë rritje ekonomike. Potencialet dhe resurset shqiptare janë një mundësi reale për shndërrimin e investimeve në histori suksesi, falë dhe klimës së favorshme që qeveria shqiptare ofron në mbështetje të investitorëve të huaj” - u shpreh Topalli.

Zv/Ministri Marles tha se: “Ju keni një histori të mirë ekonomike për t’ia treguar vendeve të Europës por edhe më gjerë. Keni shumë për të thënë mbi këtë sukses dhe ky është një oportunitet për të cilin edhe investitorët australianë duhet të inkurajohen.”

Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Australia ka dhënë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në NATO duke theksuar se vendi tani është i orientuar drejt integrimit europian.
.
(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›