E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Në qeverinë e ardhshme do të ketë më shumë gra

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori pjesë në takimin e 5-të ndërkombëtar të kryeparlamentareve femra, që u organizua në Vjenë nën kujdesin e Kryetares së Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer. Dhuna kundër grave dhe kriza financiare ndërkombëtare u identifikuan si çështje që ndikojnë në përkeqësimin e pozicionit të gruas në çdo vend, pavarësisht zhvillimit social dhe ekonomik të tij. Në fokus të debatit ishte domosdoshmëria e një vizioni të ri për të shmangur pasojat e krizës ekonomike me masa. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë argumentoi se kriza ekonomike ndërkombëtare dëmton, së pari gratë, për shkak të pozicionit të tyre të pabarabartë, veçanërisht në tregun e punës. Në takimin me homologet e saja, Jozefina Topalli e vlerësoi si një arritje thelbësore të demokracisë shqiptare dyfishimin e numrit të deputeteve femra, duke u shprehur optimiste edhe për rritjen e numrit të grave në qeverinë e ardhshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›