E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati, sytë drejt Kolegjit Zgjedhor

Fati i mëtejshëm i ecurisë së procesit zgjedhor tani e tutje do të jetë në duart e Kolegjit Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë fund shqyrtimit dhe vendimmarrjes së ankimimeve të subjekteve politike për gjashtë qarqe: Durrës, Berat, Shkodër, Tiranë, Lezhë dhe Fier, duke e kaluar "topin" e vendimmarrjes në Kolegjin Zgjedhor, në shkallën e fundit të vendimmarrjes, shprehja e të cilit do t‘i japë fund procesit zgjedhor dhe do i hapë rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të shpallur rezultatin përfundimtar. Deri dje në mesditë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lajmëroi se nuk kishte asnjë njoftim nga Kolegji Zgjedhor për ndonjë kërkesë ankimore të dorëzuar në sekretarinë e kësaj gjykate, por Partia Socialiste, nga ana e saj, lajmëroi ankimimin e vendimit të KQZ-së për Qarkun e Fierit, e konkretisht përfshirjen në rezultat të kutisë 3052 të KZAZ 20, ku 439 fletë rezultuan të kishin një vulë të vetme. Njëkohësisht u lajmërua se është dorëzuar edhe ankimimi i vendimit të KQZ-së për Qarkun e Beratit, duke mos i dhënë të drejtë PS-së në kërkesën për rinumërim dhe vlerësim të votave. E gjithë veprimtaria e Kolegjit Zgjedhor bazohet në pjesën e 11 të Kodit Zgjedhor dhe një sërë nenesh që përcaktojnë funksionimin e kësaj gjykate.

Neni 152 parashikon afatet e ankimimit në gjykatë. Në pikën dy thuhet se ankimimi për të gjitha vendimet që KQZ-ja merr në periudhën që fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimimeve zgjedhore, ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, bëhet brenda 5 ditëve nga shpallja

e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë. Ndërsa neni 157

vlerëson afatet e gjykimit, një prej pikave më të rëndësishme dhe që zbardh disi kohën kur do të shpallen rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja. Kolegji Zgjedhor gjykon dhe vendos për kërkesëpaditë brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesëpadisë.

Në rastet e parashikuara nga fjalia e fundit e pikës 2 të nenit 152 të këtij Kodi, Kolegji Zgjedhor vendos brenda 30 ditëve nga depozitimi i ankimimit. Ndërkohë, subjektet politike kanë bërë paralajmërimet e tyre për ankimimet që do të dorëzojnë në Kolegj. Partia Demokratike paralajmëroi ankimimin e vendimit të KQZ-së për Qarkun e Fierit, duke mos pranuar përfshirjen e dy kutive në rezultatin përfundimtar për këtë qark. Partia Socialiste ka lajmëruar ankimimin e tri vendimeve të KQZ-së, Beratin, Tiranën dhe Shkodrën. Sa i përket Beratit, KQZ-ja vendosi të rrëzonte pretendimet e kësaj partie për rivlerësim dhe rinumërim të votave në tre KZAZ, për shkak të mungesës së provave. Në Tiranë, PS-ja kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave për 6 KZAZ, ndërsa në Shkodër po të njëjtën kërkesë për 5 KZAZ. Të tria kërkesat ankimore u rrëzuan nga KQZ-ja për mungesë provash, duke lënë në fuqi vendimet përkatëse të KQZ-së për tabelën e rezultateve të këtyre qarqeve. Në bazë të këtyre afateve që parashikon ligji, pritet që shqyrtimet nga ana e KQZ-së të marrin fund në fillim të gushtit, ndërsa vetë kreu i KQZ-së ka parashikuar pikërisht dhjetëditëshin e parë të këtij muaji për certifikimin e zgjedhjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›