E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli-Ahmeti, takime për projektet Shqipëri-Maqedoni

>Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti, vlerësuan dje  në Tiranë, nevojën e bashkëpunimit parlamentar midis të dy vendeve fqinjë.    Zyra e shtypit pranë Kuvendit bëri të ditur se Kryeparlamentarja Topalli dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, diskutuan për takimet që do të zhvillohen së shpejti në Tiranë mes komisioneve të veprimtarisë prodhuese dhe atyre të mbrojtjes të parlamenteve të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe shprehën nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit parlamentar në funksion të integrimit të të dy vendeve në strukturat euroatlantike.  
Zoti Ahmeti e njohu Kryetaren e Kuvendit me projektet e realizuara në vetëm pak muaj të qeverisjes së re, ku bën pjesë edhe BDI. "Kemi një bilanc të jashtëzakonshëm vetëm për pesë muaj, dhe jemi optimistë se projekte të tjera të mëdha do të realizojmë", tha ai.     Kryetari i BDI-së përmendi shndërrimin në muze të shtëpisë ku u mbajt Kongresi i Manastirit, ku tashmë pas 100 vjetësh valëvitet flamuri shqiptar. Po ashtu, gjatë këtyre muajve është ngritur muzeu i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ndërsa janë institucionalizuar obelisqet e të pushkatuarve përgjatë viteve '45-2001.  "Tashmë, theksoi ai,  ka hyrë në fuqi plotësisht dhe po zbatohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, janë hapur dy fakultete në Kumanovë që do ti shërbejnë edhe Luginës së Preshevës dhe janë punësuar në administratën shtetërore një mijë shqiptarë dhe 100 policë shqiptarë". Ndër projektet e reja që priten të realizohen, zoti Ahmeti renditi ato në infrastrukturë si Rrugën e Arbrit, rrugën Shkup-Bllacë, tenderin për hekurudhën Kërçovë Strugë, që do të lidhë më afër Maqedoninë dhe Shqipërinë, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›