Topi: Familjet e mëdha persekucion në komunizëm, diskriminim në tranzicion
>Presidenti i Republikës akuzoi politikën e viteve të tranzicionit për përbuzje të shtresës së familjeve të mëdha. Nëpërmjet këtij apeli në një farë mënyre Topi akuzon edhe veten pasi edhe ai pjesë aktive e kësaj politike ka qenë. Duke ju referuar fillimit të demokracisë, Topi tha se, viti 1990 e gjeti këtë shtresë si komponentin më të vetëdijshëm, që kërkonte ndryshim dhe mbështesë e patjetërsueshme në ndërtimin e demokracisë.
Gjatë tranzicionit të gjatë, duke qenë pikërisht këto familje një pjesë e rëndësishme e të persekutuarve politikë dhe ish-pronarëve, u ndeshën jo pak me iluzionin e drejtësisë në raport me të kaluarën, me iluzionin e rikthimit të pronës, me atë përfaqësimit politik dhe të integrimit në shoqëri, duke u bërë në disa raste pré e retorikës politike. Midis të tjerave Topi tha se: Goditja e elitave tradicionale, politike, intelektuale, ekonomike synonte të prishte komunikimin e popullit shqiptar me pikat e referimit. Komunistëve u duhej që të shpikej Armiku i klasës apo i popullit dhe për këtë stigmatizuan dyert e mëdha shqiptare. Më tej ai tha se, si pasojë ata provuan asgjësimin fizik, burgun, internimin, konfiskimin e pronës, humbjen e të gjitha të drejtave, veprime këto me pasoja afatgjata të mirëmenduara. Rrufeja bie mbi lisat e gjatë, dialektika e regjimit komunist ishte konfirmim i saj, shprehu Topi. Megjithatë, ato dëshmuan se janë në lartësinë e traditës së tyre duke shprehur një cilësi të lartë demokratike, atë të tolerancës dhe besimit tek institucionet. Personalisht në cilësinë e Kreut të Shtetit nuk do ti resht përpjekjet që këto familje të gjejnë vetveten në shoqërinë shqiptare, sepse Shqipëria, për tu bërë më e mirë, si gjithmonë, ka nevojë për kontributin tuaj,-përfundoi fjalën e tij Presidenti Topi.