Tepelenë, i sëmuri mendor godet me sëpatë kryeplakun
Jonuz Velaj është goditur nga Ilmi Tringa me sëpatë në kokë, fytyrë dhe këmbë. Jashtë rrezikut
Policia: Tringa, me të meta mendore. Është në kërkim. Kryeplaku: Kisha ankesa dhe i kërkova të mos dilte natën
TEPELENË- Kryeplaku i fshatit Maricaj të Tepelenës ka përfunduar në spital me plagë të rënda pas goditjes me sëpatë nga një person me probleme mendore.
Agresioni, mësohet se ka ardhur pas një debati mes kryeplakut dhe dhunuesit, për të cilin kishte pasur ankesa edhe më parë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Jonuz Velaj, 53-vjeç, me detyrën e kryeplakut ka rënë pre e goditjeve të 47-vjeçarit Ilmi Tringa, banor i të njëjtit fshat. Pasi e ka goditur me sëpatë në pjesë të ndryshme të trupit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim nga policia. Kurse i dëmtuari, edhe pse me shumë goditje të thella, sipas mjekëve të spitalit rajonal ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Maricaj të rrethit Tepelenë, pas një grindjeje. "Shtetasi Ilmi Tringa, 47-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Maricaj, ka debatuar me shtetasin Jonuz Velaj, 53-vjeç, lindur dhe banues në po këtë fshat e që aktualisht mban detyrën e kryeplakut"- thonë burimet policore. Pas debatit, shtetasi Ilmi Tringa e ka goditur shtetasin Jonuz Velaj me sëpatë, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë, fytyrë dhe në këmbën e djathtë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Megjithëse në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor që ka kryer të gjitha veprimet proceduriale, ndalimi i 47-vjeçarit Ilmi Tringa nuk është bërë ende i mundur.
I dëmtuari
Kryeplaku i fshatit Maricaj, 53-vjeçari Velaj, pas ngjarjes është transportuar drejt spitalit rajonal "Omer Nishani" ku edhe ndodhet i shtruar në repartin kirurgjik. Sipas mjekëve, gjendja e tij, megjithë plagët e rënda dhe frakturat në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. "Nuk kam pasur asnjë konflikt me atë person, i cili ka probleme me shëndetin mendor, pasi këtë veprim që bëri me mua e ka bërë edhe me të tjerë dhe për këtë është dënuar",- tregon Velaj. Sipas tij, i vetmi problem ka qenë se para 1 jave ai i ka kërkuar 47-vjeçarit, të mos lëvizë më nëpër fshat, pas mesnatës, pasi kishte marrë ankesa nga bashkëfshatarët për vjedhje të ndryshe të ndodhura. "Kaq ka mjaftuar që ky person të më qëllonte, sikur krimineli të isha unë dhe jo ai. Kërkoj nga Policia e Shtetit dhe organet kompetente që ta vënë këtë person para përgjegjësisë",- është shprehur për mediat i dëmtuari Velaj.
Policia
Agresori në fshat nuk është njeri i panjohur. Për tëthonë se është problematik madje edhe i trajtuar për problemet mendore që ka. Nga ana tjetër, këtë e pohojnë zyrtarisht edhe burimet policore. Sipas tyre, shtetasi Ilmi Tringa është me të meta mendore dhe është kuruar herë pas here. "Ai ka qenë dënuar edhe më parë me 3 vjet burg për veprën penale të "Plagosjes së rëndë me thike" të shtetasit Besim Myftari"- thonë të njëjtat burime, duke iu referuar personit të fjalë, që rezulton të jetë me precedent penal. Mbi të rëndon vepra penale e "Vrasjes me dashje, mbetur në tentativë". Ndërkohë që ai është në kërkim nga policia, materialet për ngjarjen i kanë kaluar prokurorisë.