E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Ditët e ardhshme pritet të nisë dëmshpërblimi i të përndjekurve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi dje në Shkodër, se "dëmshpërblimi i ish të persekutuarve politikë është një tjetër premtim i mbajtur i kësaj qeverie, pasi shpërndarja e këtij fondi pritet të realizohet vetëm në ditët e ardhshme". Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, Kryetarja Topalli mori pjesë dje pasdite në çeljen e ekspozitës historike, e cila u hap në mjediset e Katedrales së Shkodrës, në përkujtim të genocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit. Kryetarja e Kuvendit informoi se "në ditët e ardhshme fillon menjëherë shpërndjarja e dëmshpërblimit për të persekutuarit e regjimit komunist. Paralelisht në komisionin parlamentar të ligjeve, ne do të kalojmë dhe një amendim ligjit, duke i dhënë të drejtën e dëmshpërblimit dhe të pushkatuarve pa gjyq si dhe familjarëve të të dënuarve, që nuk kanë lënë pasardhës, si  klerikët apo të dënuar të tjerë", vijoi më tej Topalli. Duke vizituar ekspozitën në përkujtim të genocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit, Kryetarja Topalli u shpreh se "ne duhet të shohim nga e ardhmja, për të mos harruar kurrë çfarë ka ndodhur". Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se "kjo ekspozitë është një tjetër dëshmi rrenqethëse për periudhën 50 vjeçare të diktaturës". "Kjo jo vetëm është periudhë e ndaljes së kohës për Shqipërinë e shqiptarët, por është një ndër periudhat që ka krijuar dhimbje të jashtëzakonshme, që ka frenuar çdo gjë që ka ekzistuar në jetën e njeriut,  lirisë së tij, që ka ndaluar me ligj Zotin dhe çdo gjë tjetër që nuk mund të imagjinohet", u shpreh Kryetarja Topalli. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste mbi 25 klerikë katolikë nga rrethi i Shkodrës u ekzekutuan, ndërsa dhjetra të tjerë u dënuan më shumë vite burg, internime e kampe pune. Ekspozita e titulluar  “M’shirë o Zot se kam gabue" sillte një kombinim të veçantë kontrasti të dokumentave historike të kohës, me pamje filmike, fotografi, objekte dhe dorëshkrime nga vuajtjet e klerikëve katolikë e  myslimanë gjatë persekutimit të pamëshirshëm nga regjimi komunist si dhe prishjes masive të objekteve të kultit në të gjithë vendin. Një objekt i veçantë ishte libri i përshtypjeve të muzeut të vetëm ateist në botë, që regjimi komunist ngriti në Shkodër, libër që përmbante shënime dhe përshtypje të vizitorëve në vitet 82-90, kundër fesë dhe klerit.

Topalli për ligjin e lustracionit: Nuk do të tërhiqemi nga të bërit e transparencës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi dje, në Shkodër, se "me vendimin për pezullimin e ligjit të lustracionit, Gjykata Kushtetuese ka qenë në konflikt interesi, por është detyra jonë që të mos tërhiqemi dhe të ecim përpara në rrugën e shtetit ligjor për të bërë transparencë". Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, ajo vuri në dukje se "Gjykata Kushtetuese ka qenë në konflikt interesi për vendimin që ka marrë për pezullimin e ligjit të lustracionit. Por është detyra jonë, që duke qenë besimtarë të mëdhenj të shtetit ligjor, duhet të ecim përpara pa menduar se mund të tërhiqemi nga 'mea culpa', nga bërja e transparencës dhe nga kërkesa se në postet kyçe të disa segmenteve të shtetit,të mos kemi njerëz me të kaluar që kanë shkaktuar të tilla tmerre", tha në përfundim znj. Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›