E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Dhimbjet dhe lavdia e një rruge që lind

Arkeologu N. u ndje shumë i lodhur në mëngjez. Nuk kishte fjetur mirë pothuajse gjithë natën. Deri në orën 11-00 kishte ndjekur një emision televiziv, ndoshta pak i lidhur me zanatin e tij, pastaj një kronikë për rrugën Durrës-Kukës dhe së fundmi lajmet. Pas lajmeve i ishte futur studimit dhe leximeve deri nga ora 02. Në mëngjes u ngrit nga shtrati i dërmuar në orën 07- 00. Jo vetëm trupi që nuk i ishte çlodhur, por atij i dhimbte koka. Gruaja, ndërsa po i bënte kafenë, ia filloi kritikave: - Lexon shumë, lëri ato libra, ç’të duhen më, jemi rehat, fëmijët u rritën! - Nuk e kam nga librat dhimbjen e kokës - u mundua të qetësonte të shoqen, - unë pak lexoj, 2-3 orë në ditë. - Po, po, 2-3 orë paradite, 2-3 orë pasdite, po aq në televizor, ti duhet të kesh probleme me sytë - ia ktheu e shoqja. Me vete mendoi: - Ndoshta nuk e kishte gabim e shoqja, kishte kohë që i kishte thënë të bënte një vizitë tek okulisti, mbase i ishte rritur numri i syzeve. Justifikohej se nuk gjente kohë. Nga ana tjetër atij nuk i dhimbnin sytë, por koka. Dhe jo tamam dhimbje, por turbullim, ankth, frikë përzier bashkë. Vetë e kuptonte se lodhja nuk vinte vetëm nga sytë. Kishte një turbullim në shpirt. Studimet arkeologjike po ia turbullonin mendjen. Seç ishte ndërtuar një rrugë aty nga shekulli III- II p.l.K dhe ai ishte duke e studiuar. Po, Via Egnatia, që me sa duket nga etimologjia, mund të shqipërohej E Gjata.
Po pse shqetësohej për një rrugë që ishte bërë 22-23 shekuj më parë. E po kështu e kanë të gjitha rrugët. Njerëzit shkelin mbi to me këmbë, kuaj, karroca, makina, flasin e përflasin për to, i godisin dhe i prishin, i restaurojnë për t’ia rritur vlerat, i baltosin për t’ia prishur lavdinë. Dhe as kujtohen për to, për dhimbjet e tyre. Rruga ishte një nga mrekullitë e inxhinierisë së lashtë. Në mendje arkeologut i kishte mbetur studimi i kohëve të fundit. “Përmirësimi dhe shtimi i porteve, ndërtimi i rrugëve dhe urave nga ana e Romës bëri që porti i Dyrrahiumit të rritej aq shumë, saqë poeti romak Katuli ta quajë atë “Taverna e Adriatikut ”. Rruga Egnatia, për të cilën flasin Polibi dhe Straboni, kishte dy degëzime në Adriatik, e para në Apoloni, e dyta në Dyrrah, ku takoheshin njëra me tjetrën në Klodiana. Duke u ngjitur më pas maleve Kandave, ajo u shtri deri në Trakë, më vonë deri në Bosfor dhe më tej në Persi. Ajo kalonte përmes qytetit Lyknidit me liqenin shumë të bukur, në Piloni, në Edesa e deri në Selanik me gjatësi 585 milje. Përtej Selanikut në Amfipoli dhe Filipe deri në Bizant. Rastësisht, Straboni vuri në dukje se rruga ndiqte kufirin midis Epirit dhe Ilirisë. Andej duhet të ketë kaluar Ciceroni i përndjekur nga Klaudi, Oktavi nipi i Çezarit, Antoni gjenerali i Çezarit, mbase edhe perandorët Augusti e Kostandini. E ndërtuan romakët, e shfrytëzuan të gjithë romakë, ilirë, helenë, turq pavarësisht mosbesimeve reciproke, miqësive dhe armiqësive. Pra kur historianët shkruajnë apo hulumtojnë historinë, shkruajnë për vitet kur ndërtua, kush e ndërtoi dhe pse e ndërtoi. Po dhimbjet e rrugëve kush do t’i shkruajë ? Dhimbjet e lindjes, dhimbjet e lindjes së një rruge që janë shumë të mëdha. Lind si fëmija në barkun e një shteti apo kontinenti. Tani kujtohemi ne për dhimbjet e asaj rruge të famshme që u pagëzua me emrin EGNATIA.
Arkeologu kishte rënë në mendime të thella. Historianët e shekujve të ardhshëm do të studjojnë lindjen e një rruge me emrin E Kombit. Për deshifrimin e fjalës ju duk diçka shumë e thjeshtë. Rruga e Kombit. Po rrugët e tjera nuk i shërbejnë kombit? Kjo do të ishte e para që duhet sqaruar. Pastaj kush e ndërtoi, Berisha, Basha apo ndonjë tjetër. E ç’rëndësi ka? E ndërtuan shqiptarët. Pastaj kronikat e asaj kohe shkruanin se andej kaloi Topi, Berisha, Rama, Meta, Majko, turistë e vizitorë, biznesmenë e punëtorë, nxënës dhe studentë. Kaluan andej shqiptarë, serbë, bullgarë, maqedonas e grekë. Kaloi andej Sejdiu, Thaçi, Tadiç, Cervenkovski, Mesiç, Erdogan etj. Kanë shkruar, shkruajnë dhe do të shkruajnë kronikanët për historinë e rrugës. Do të shkruajnë për lavdinë e saj që shtrihet nga taverna e Adriatikut deri në zemër të Evropës, një vepër me tunele, ura, kalime e mbikalime të bukura dhe madhështore. Por nuk do të shkruajnë për absurdin e dhimbjeve të lindjes së saj, vuajtjen e saj. Polemikat dhe politikat, debatet, sharjet dhe shpifjet do të harrohen. Do të kujtohen vetëm fjalët: “Na ishte njëherë...u bë shumë poterë...lindi një rrugë...” Historianët, arkeologët, inxhinierët e ardhshëm do të shohin arkivat, studiojnë dokumentet, por nuk do të arrijnë të shpjegojnë absurdin e dhimbjeve të lindjes së saj, që për nga lavdia, ngjan me rrugën Egnatia. Ka për të qenë mentalitet tjetër në të ardhmen. Si në rrugën Egnatia ashtu edhe në rrugën e Kombit takimi me të tjerët, njohja, respekti dëgjimi, dialogu, shkëmbimi kooperimi midis njerëzve do të jenë principet e mentalitetit të ardhshëm.
          E vendosi. Do të shkonte. I tha gruas të bënte gati çantën me gjërat më të nevojshme për udhëtim. Do të asistonte vetë. Do të shkonte tek rruga. Nuk i zinte besë askujt, as mediave, as politikanëve. Do të shihte me sytë e vet, me veshët e vet do të dëgjonte klithmat, me duart e tij ta prekte, me këmbët e tij do ta shkelte. Do të asistonte në lindjen e rrugës. Rruga e Kombit po lindte. Operacion Cezarian po kryhet mes përmes kombit. Ou, prapë Çezari, perandori i dikurshëm i rrugës Egnatia edhe këtu. Historia përsëritet.
         Tjetër kronikë do të zbulonin historianët dhe arkeologët e shekujve të ardhshëm. Mbi këtë rrugë kaloi edhe arkeologu N. Dhe kur kaloi ndodhi çudia. U shërua nga stresi, nga dhimbja e kokës. Ishin dhimbjet e rrugës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›