Ceka: “Berisha, imazhi i qeverisjes së suksesshme, Rama, imazhi i PolPotizmit”
Gjatë një interviste, Neritan Ceka tregon arsyet e zyrtarizimit të koalicionit me PD-në, aksionin shkatërrimtar që po e çon opozitën e Edvinit drejt tretjes elektorale dhe gjasat e mëdha që koalicioni i së djathtës të rikonfirmohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Para disa kohësh ju keni zhvilluar një takim me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, aktualisht Kryeministrin e vendit Sali Berisha, takim ky që u foksua tek koalicionet parazgjedhore. A mund të na thoni se çfarë u ra dakord mes jush në këtë takim paraprak?
Është një negociatë përfundimtare me autorizimin e Asamblesë të Aleancës Demokratike dhe të Kryesisë së partisë në kuadrin e mbylljes së aleancave të mundshme për partinë tonë. Kanë qenë dy alternativa; njëra ishte me LSI-në dhe janë zhvilluar negociatat dhe tjetra u përfundua si negociatë me PD-në për të dalë bashkë në zgjedhje. Të dyja këto alternative do vlerësohen këtë javë dhe nga kryesia e partisë dhe pastaj në datë 28 do të bëhet dhe paraqitja e tyre për votim në Asamble. Natyrisht që këtu shanset më të mëdha janë për aleancën me PD-në, për shkak se shanset janë më të mëdha për PAD-në, për të fituar deputetë në disa rrethe, duke dalë në koalicion me PD-në, sesa të dilet në koalicion me LSI-në. Natyrisht ka edhe minuse dalja me PD-në, sepse elektorati jonë ka qenë mësuar për një kohë të gjatë, gati 8 vjet në koalicion me PS-në, nga një anim majtas, pavarësisht se ne jemi një forcë e qendrës, me kahe nga e djathta, por besoj që kjo do të kalohet po të mendohet se si majtas apo djathtas, nuk ka më ndonjë kuptim shumë sinjifikativ për elektoratin shqiptar, që nuk dallon shumë në programe të majta apo të djathta, për më tepër kur politika shqiptare i ka ulur shumë tonet, veçanërisht pas marrëveshjes për Kodin Zgjedhor dhe për ndryshimet kushtetuese.
Përse PAD zgjodhi të bëjë koalicion me PD-në dhe jo me LSI-në, parti që siç u shprehët edhe ju më lart, ishte një mundësi?
Kjo zgjedhje u bë për arsye elektorale, pra, sepse një bashkëpunim me LSI-në do të na krijonte shumë probleme në disa rrethe, pra kombinimi i dy partive nuk jep gjithmonë rezultate maksimale, ndërsa në të njëjtat rrethe po të bashkëpunojmë me PD-në dhe t’i japim po aq vota sa kemi marrë në zgjedhjet lokale, rezultati është i dyfishtë, pra natyrisht që në një shans të tillë do të zgjedhim një koalicion ku do fitojmë më shumë.
Ju si kryetar i PAD-së e keni kontestuar Kodin e Ri Zgjedhor, i cili tashmë është miratuar, me pretendimin se ai nxjerr “jashtë loje” partitë e vogla. Koalicioni me PD-në mos është një mënyrë për t’i shpëtuar këtij mënjanimi?
Natyrisht që Kodi i ri Zgjedhor është bërë me tendencë kundër partive të vogla, por në fund të fundit pastaj u kuptua që partitë e vogla ishin të domosdoshme, pra në këtë kuptim Kodi i ri Zgjedhor nuk e ka arritur qëllimin e vet, sepse është e qartë që sa më shumë aleatë të ketë një parti e madhe aq më shumë shanse ka për fitore, si rrjedhim partitë e mëdha tani po përpiqen që të marrin sa më shumë aleatë pas tyre, kjo pastaj siguron dhe vazhdimësinë e atyre që quhen parti të vogla. Ne e kemi kundërshtuar Kodin Zgjedhor sepse është kryesisht kundër elektoratit shqiptar, nuk i jep shanse zgjedhësit shqiptar që t`i shprehi votat e veta me deputetë në Parlament në mënyrë simetrike në të gjithë vendin, imagjinoni aleancistët e Kukësit, ose aleancistët e Peshkopisë, të cilët shikojnë që votat e tyre nuk kanë mundësi të zgjedhin deputetë për Aleancën, qoftë të konkurrojnë me një deputet, sepse që të marrësh në deputet në Kukës apo Peshkopi t`i duhet të arrish 25 për qind të votës, sepse 4 deputetë janë. Pra, si rrjedhim krijon një disbalancë të përfaqësimit të mendimit politik, por edhe të ndjenjave politike që mund të ketë elektorati, dhe kjo nuk vlen vetëm për Aleancën, por kjo është edhe për partitë e tjera, për ato që përfaqësojnë pronarët, për ato që përfaqësojnë minoritetet që deri tani kanë gjetur një parti tek PBDNJ, në këtë kuptim është diskriminues me gjendjen politike ku jemi sot.
Cila do të jetë skema që ju do të dilni në zgjedhje, dhe si do të bëhet ndarja e mandateve?
Ne do të synojmë në disa qarqe, jo në të gjithë Shqipërinë në mënyrë të njëllojtë, por do t’i përqendrojmë energjitë dhe mjetet që ka partia në 5 ose 6 qarqe, pa neglizhuar dhe qarqet e tjera ku do të mundohemi të kontribuojmë si aleatë, kurse për Aleancën Demokratike objektivat kryesorë do të jenë Tirana, Elbasani, Durrësi, Korça, Fieri, Shkodra dhe Lezha, ndoshta dhe Vlora. Me pak energji të shpenzuara do të jenë në qarqe të tjera siç janë Peshkopia, Kukësi, apo Gjirokastra, gjithsesi dhe atje do nxjerrim kandidatë që mund të arrijnë sukses.
Cilat mendoni se do të jenë pikat e forta të së djathtës në këtë fushatë, e cila pritet të jetë mjaft e ashpër?
Koalicioni ende nuk është kompaktësuar, ka dy mënyra për këtë koalicion, pra që të vazhdohet siç është tani dhe koalicioni të realizohet pas zgjedhjeve, ose të hyhet me një fytyrë të vetme, me një imazh, të hyhet me një panel në zgjedhjet e 28 qershorit. Forma e parë natyrisht që i jep më shumë shanse PD-së si lider, por rrezikon fitoren e saj. Siç edhe thashë vetëm ajo parti që do të dijë të grumbullojë rreth vetes sa më shumë elektorat nëpërmjet partive, sepse ato kanë lidhje me elektoratin, vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet fitorja. Mendoj që pozitiv do të jetë një imazh në formë mozaiku i dhënë nga PD, me aleatët e vet dhe me forca jashtë strukturave partiake natyrisht, nga shoqëria civili, që gjithnjë ka përbërë një risi në PD, i cili do ishte i ndryshëm nga imazhi që ka krijuar e majta, që nxjerr vetëm një lider, një lider i cili i referohet një elektorati anonim, lider i tipit të Pol Poti, por dhe që të zhdukë politikën e vjetër, se këtë bënte dhe Pol Poti, të zhdukë politikanët e vjetër se ata janë bartësit e së keqes edhe të sjellë 20-vjeçarët në pushtet. Natyrisht kjo është thjesht një demagogji e liderit të së majtës, megjithatë kjo do të duket nga listat që do të prezantojë elektorati i së majtë. Këto janë dy imazhe krejt të ndryshme, i pari është një imazh qeverisjeje, përvojë që ofron pastrim gradual të radhëve të politikës nëpërmjet votës, por jo shfaqje mesianike, dhe imazhi dytë që është populizmi polpotist.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në muajin prill, a mendoni se do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve tek e djathta, duke rritur kështu edhe elektoratin?
Mendoj se po pasi, kjo arritje është rezultat i një pune të gjatë, që nuk është bërë vetëm nga kjo qeveri, por edhe nga qeveritë e mëparshme, sepse shumë aspekte të afrimit me NATO-n, Karta e Adriatikut, edhe partnershipi për paqe janë përpara kësaj qeverie, por natyrisht që qeveri ka përshpejtuar ritmet me Samitin e Bukureshtit, dhe së fundmi me miratimin nga parlamentet e vendeve të NATO-s të Protokollit të Anëtarësimit, kështu që në një kuptim ky do jetë një sukses. Unë mendoj se ky është një sukses moral sepse NATO është një organizëm në radhë të parë politik, pra vlerësimet në NATO nuk do të jenë vetëm për nivelin e përgatitjes ushtarake, apo për kontributin ushtarak të Shqipërisë, por do të jenë në radhë të parë një certifikatë ndershmërie politike edhe korrektese politike, pra në një farë mënyre do të goditet propaganda antiqeveritare, e cila nuk lë çast, nuk lë moment pa e baltosur këtë qeverisje, si të korruptuar, si antidemokratike, si arrogante, e kështu me radhë Pra në këtë mënyrë shqiptarët do të dinë të kuptojnë që gjykata më e lartë që bën vlerësimin mbi nivelet e demokracisë dhe të korrupsionit është padyshim NATO.
Pse u prish koalicioni me të majtën?
Kjo është histori, natyrisht unë nuk e identifikoj Edi Ramën me Partinë Socialiste, dhe aq më pak me kolegët, me të cilët kam bashkëpunuar 8 vjet në pushtet. Nga ana tjetër mund të them se ajo që bëri Rama, pra, që prishi koalicionin, ishte rrjedhim i një rruge të gjatë brenda një grupi të PS-së, të cilët vënë mbi të gjitha interesat e ngushta të militantëve, që duan të bëhen patjetër shefa, që kërkojnë poste dhe shikojnë partitë aleate si rrezik në ndarjen e këtyre posteve. Rasti i fundit i zgjedhjeve lokale ishte triumfi i fortë i kësaj filozofie, të cilën për fat të keq Rama e bëri të tijën dhe e trajton si flamur nën udhëheqjen e PS-së. Pra, kjo psikologji e një partie shtet, e një partie që lufton për militantët është shumë larg Aleancës Demokratike. PAD ka kontribuar siç ka futur njerëzit e vet në pushtet në mënyrë minimale, në bazë të kompetencave dhe kontributit të tyre, larg doganave dhe tatimorëve dhe fushave që kanë qenë ekskluzivitet i PS-së 8 vitet e kaluara, dhe mendoj që është një ndarje morale, një ndarje jo e karakterit politik, por e interesave të ngushta të lidershipit, veçanërisht të Ramës. PAD nuk e shikon këtë ndarje si një tragjedi, dhe nga ana tjetër nuk sheh se po bën ndonjë tradhti për të kaluar në një aleancë të djathtë, sepse kjo nuk ka qenë zgjedhje e jona, ka qenë një zgjedhje e krijuar nga vetë PS. Ne shikojmë me indiferencën më të madhe dhe akuzat që na bëhen në këtë drejtim.
Çfarë kontestoni nga opozita aktuale, dhe si shikoni mënyrën se si ajo bën opzitë?
Kjo nuk ka ndryshuar shumë nga opozita e kaluar, unë nuk mund të them që opozita e kaluar duhet të vazhdojë në të njëjtat ujëra, sepse kanë kaluar 4 vjet nga ajo kohë dhe gjërat kanë ndryshuar tek njerëzit dhe tek partnerët tanë, kështu që kjo që PS, e cila kapet prapë te termat e baltosjes së qeverisjes me akuzat e korrupsionit të bashkëpunimit me krimin e organizuar, apo gjëra të tilla besoj se bën një gabim të madh, së pari sepse baltos Shqipërinë në mënyrë të padrejtë, dhe e dyta sepse diskrediton vetë rolin e opozitës. Natyrisht që opozita duhet të jetë agresive, duhet të kritikojë pushtetin, por në funksionin e saj si kontrollues paguhet nga vetë shteti, nga vetë taksapaguesit për të bërë këtë rol, pra nuk është një opozitë që shpenzon paratë e veta, dhe e gjitha kjo, jo për të krijuar iluzione të pushtetit. Përdorin iluzionin se këta që janë tani janë hajdutë, dhe në që do vijmë jemi më të mirë, çka dëmton rëndë imazhin e vendit, dhe nga ana tjetër të vetë politikës. Kështu nuk dallohet kush është profesionist dhe kush jo. Pra nuk dallohet as hierarkia as njerzillëku, që është për një vend që ka një klasë politike solidare, e cila e kupton politikën si profesion dhe si përkushtim, dhe nuk duhet të bëjë lojën e shqelmave. Mendoj se publiku shqiptar e ka gjithmonë të vështirë të orientohet nga e vërteta, për shkak të baltës së madhe që hidhet edhe atje ku nuk ekziston fakti, ose për thënien e gjysmë të vërtetave që janë më të këqija se gënjeshtrat, dhe në këtë kuptim krijohet iluzioni i politikës mesjanike. Kjo është kostoja që paguan populli shqiptar nga demagogët e politikës shqiptare.
Si e gjykoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e ligjit të dosjeve?
Them se ky veprim nuk është shumë pozitiv, pasi do të vazhdojmë dhe pas zgjedhjeve me historitë e spiunëve dhe pseudonimeve, pra në qoftë se kishte një të mirë të madhe ky ligj ishte sepse i jepte fund kësaj çështjeje brenda të gjitha praktikave, dhe jo vetëm precedentit të mëparshëm që është trajtuar nga ligji i mëparshëm nga dosjet, por edhe nga fakti se komisioni ia përcillte çështjen Gjykatës, ishte Gjykata pastaj që vendoste pastaj mbi të drejtat e njeriut për të marrë ose jo në zgjedhje. Nga kjo pikëpamje do të kemi një histori me puntata, do vazhdojnë diskutimet me histori spiunësh në Parlament, dhe fakti që do të kalojë tani në Komisionin e Venecias do ta bëjë këtë ligj të pazbatueshëm në këto zgjedhje. Besoj se pas këtyre zgjedhjeve ky ligj do të jetë i padobishëm, kurse për çështjet e tjera, Parlamenti natyrisht do t’i marrë në shqyrtim ato nene që do të atakohen nga partnerët tanë të Venecias, të cilët ne i vlerësojmë në mënyrë maksimale, edhe si kontribuues të Kushtetutës së Shqipërisë.