E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon ambasadorin e Norvegjisë në Tiranë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti sot ambasadorin e Norvegjisë nё Tiranё me rezidencë në Prishtinë, Sverre Johan Kvale. Gjatë këtij takimi kortezie, të dy palët vlerësuan marrëdhëniet miqësore midis Shqipërisë e Norvegjisë dhe shprehën vullnetin e ndërsjellët për intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat me interes reciprok. Pas vlerësimit të progresit të bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, ambasadori Kvale rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme tё Norvegjisë për Shqipërinë gjatë procesit të integrimit euroatlantik dhe ofroi bashkëpunim në fushat e arsimit, promovimit të turizmit dhe në drejtim të thithjes së investimeve norvegjeze në Shqipëri. Z. Meta nënvizoi vullnetin e qeverisë shqiptare për thellimin e marrëdhënieve bashkëpunuese me Norvegjinë dhe e ftoi ambasadorin Kvale të jepte ndihmesën e tij për promovimin e imazhit të Shqipërisë mes komunitetit të investitorëve dhe turistëve norvegjezë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›