E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, përpjekje për të shmangur rrëzimin e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë

Nga 70 kandidatura, Presidenti do të zgjedhë vetëm 2 kandidatë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mësohet se po bën përpjekje për të zgjedhur në listën e 70 kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të Gjykatës së Lartë dy kandidatura që gëzojnë mbështetjen dhe pëlqimin e të dyja kampeve të politikës, si dhe të grupeve të tjera të interesit. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se kreu i shtetit ka zhvilluar konsulta së fundi me përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore në mënyrë që dy kandidatët që pritet të dekretojë së shpejti për postet vakante në Gjykatën e Lartë të gëzojnë mbështetje të gjerë. Kjo përpjekje e kreut të shtetit bëhet që të mos përsëritet precedenti i disa viteve më parë ku maxhoranca demokratike rrëzoi në Kuvend dekretet e Topit për anëtarë të Gjykatës së Lartë për shkak se ky i fundit nuk mori paraprakisht pëlqimin e Kuvendit. Burimet bëjnë të ditur se me procesin e përzgjedhjes së kandidaturave janë marrë dy këshilltarët e presidentit, Artur Metani dhe Spiro Peçi. Madje bëhet e ditur se presidenti Topi do të dërgojë së shpejti në Kuvend dy dekretet e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Po kështu, kreut të shtetit i duhet të përzgjedhë edhe kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Përzgjedhja
Presidenti i Republikës pak kohë më parë njoftoi në sajtin zyrtar të Presidencës në internet se ka nisur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për gjashtë vende vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe dy vende vakante në Gjykatën e Lartë. Në njoftimin për shtyp të Presidencës është bërë e ditur se në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo me pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. “Të gjithë individët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë janë të ftuar të paraqesin pranë kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre me dokumentacionin e mëposhtëm: kopje diplome dhe listë notash; kopje të titujve shkencorë; kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit; indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë; vërtetim nga institucioni ku ka punuar, se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore, si dhe çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit”, - shkruhej në listën e kritereve për gjashtë vendet vakante për pozicionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Mësohet se për anëtarë të Gjykatës së Lartë kanë aplikuar 70 kandidatë.
Emërimet
Në Kushtetutë është e përcaktuar qartë se zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë bëhet me emërim të Presidentit të Republikës dhe dhënie pëlqimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Duke nisur nga rëndësia që ka një gjykatë e tillë për shkak të natyrës së saj, si institucioni më i lartë vendimmarrës në vend, kryerja e zëvendësimeve pritet të kthehet në një betejë të vërtetë mes institucionit të kreut të shtetit si garant i Kushtetutës dhe maxhorancës qeverisëse, që do të përpiqet që të marrë shumicën e anëtarëve duke garantuar kështu vendimmarrjen e mëtejshme në favorin e saj. Pavarësisht se Kushtetuta i jep Presidentit kompetencën e emërimit të anëtarëve të kësaj gjykate për të marrë fuqi ligjore një emërim i tillë, duhet të marrë më parë edhe pëlqimin e Kuvendit, çka do të thotë që çdo kandidaturë do të votohet. Një procedurë e tillë bën të detyrueshme për Presidentin që të marrë pëlqimin e shumicës në pushtet, e cila, në rastin konkret, pritet të bëjë përpjekje për t’i imponuar kreut të shtetit emrat e saj për të marrë në këtë mënyrë shumicën në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucionet e tjera, me qëllim garantimin e vendimmarrjes në favorin e saj. Në rast se Presidenti nuk do të marrë pëlqimin e maxhorancës, atëherë në qendër të skenës politike mund të kthehet precedenti i vitit 2008 kur Kuvendi rrëzoi propozimet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Në atë kohë, drejtuesit e së djathtës akuzuan kreun e shtetit se për emrat e përzgjedhur për Gjykatën supreme nuk ishte konsultuar dhe as kishte marrë mendimet e Kuvendit, çka çoi dhe në refuzimin me votë të propozimeve të para të asaj kohe të kreut të shtetit.
Institucionet
Brenda 2010-s përfundojnë mandatin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza. Gjykata Kushtetuese është një ndër institucionet që gjatë katër viteve të shkuara e ka vënë në vështirësi shumicën qeverisëse në disa raste, duke i rrëzuar një sërë ligjesh të rëndësishme. Pikërisht ky institucion, gjatë muajve të parë të këtij viti, do të përfshihet nga një stuhi e vërtetë ndryshimesh në përbërjen e saj. Plot dy të tretat e trupës aktuale të gjyqtarëve, ose thënë me shifra të tjera, 6 anëtarë të tij, do të duhet që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit t’ua lënë karrigen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese 6 emrave të rinj, që natyrisht do të kalojnë përmes procedurave normale të propozimit nga Presidenti dhe më pas të miratimit nga Kuvendi, ku pritet që maxhoranca të tentojë të ndryshojë balancat e përfaqësimit në favorin e vet. Po kështu, një tjetër institucion kushtetues është dhe Gjykata e Lartë ku brenda këtij viti përfundon mandati i dy anëtarëve të saj.

Neni 136
1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Njëri nga anëtarët emërohet Kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi.
4. Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
5. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›