E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita/Komisioni i Medias: “Shpifja”, miratohen në parim ndryshimet në Kodin Penal

10-02-2012 / Gazeta 55

Komisioni parlamentar i Medias miratoi dje në parim me konsensus ndryshimet në Kodin Penal që dekriminalizojnë shpifjen dhe fyerjen. Ndryshimet parashikojnë që për këto vepra të mos këtë dënim penal me burg, por vetëm ndëshkim me gjobë. Gjatë mbledhjes deputetët socialistë të opozitës i konsideruan të domosdoshme amendimet në kodin penal nisur nga nevojat që ka media sot. Ndryshimet e propozuara nga qeveria në kodin penal parashikojnë që vepra e fyerjes dhe shpifjes të kalojë nga vepër penale në atë civile.
Miratimi i këtyre ndryshimeve në Kuvend kërkon shumicë të cilësuar (84 vota).
Konsensusit mes demokratëve dhe socialistëve nuk i kanë munguar edhe debatet për uljen e kufirit të gjobës ndaj gazetarëve por edhe për përballjet e tyre në seancat gjyqësore në 10 vitet e fundit. “Nuk ka gazetar që ka marrë rrogën në një gazetë të opozitës nga viti ‘97, deri në vitin 2005 që nuk e ka parë një herë derën e gjykatës me padi penale nga ju dhe kolegët tuaj për shkrime që kanë shkruar apo opinione që kanë dhënë në gazeta. Shihni arkivat e gjykatës, dhe po ju them që e keni shfrytëzuar ju, o nuk e ka shfrytëzuar njeri këtë nen në kodin penal”- deklaroi Gent Strazimiri, anëtar i komisionit të media, deputet i Partisë Demokratike. “Ndonjëherë gjobat po bëhen më të frikshme dhe se sa burgu për gazetarët. Vihen gjoba të tilla që janë në pamundësi për tu paguar sikur të tërë jetën të punojnë. Kjo do të thotë që ose gjoba të mos paguhet kurrë e mos të zbatohet ligji, ose pastaj burimi i parave do të ishte i dyshimtë për të paguar gjoba kaq të rënda”- tha Valentina Leskaj, kryetare e komisionit të medias, deputete e PS-së. Anëtarët e komisionit të medias nuk anashkaluan as deklaratën e fundit të kryeministrit Berisha për sulmin që u bëhet në media artistëve dhe këngëtarëve shqiptarë. Në ndryshimet e fundit që po i bëhen Kodin Penal dhe Civil, vepra e fyerjes dhe shpifjes do të dekriminalizohet dhe do të kalojë nga vepër penale në atë civile.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›