E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Gratë mund të drejtojnë shtetin - Shqipëria dënon dhunën në familje

22-10-2011 / Gazeta 55

Raporti i UN Women “Progresi i grave në botë”

“Gratë mund të drejtojnë shtetin”. Ky ishte mesazhi që kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka përcjellë gjatë prezantimit të raportit të UN Women mbi progresin e grave në botë dhe gjendjen e drejtësisë. Para femrave të politikës dhe drejtësisë, Topalli ka folur dhe për vështirësinë e politikë-bërjes.
“Unë kam bindjen e thellë se nëse gratë do të ishin në krye të shumë punëve të tjera ndoshta rritja ekonomike do të ishte më e madhe. Në fund të fundit, ne që mbajmë familjen, ne që jemi shtylla e shtëpisë, ne mund të jemi shumë mirë shtylla kryesore e shoqërisë, e shtetit. Edhe jeta në politikë është shumë e tensionuar, nganjëherë je e detyruar që të marrësh fyerje, që të marrësh goditje të pamerituara. Kjo është një arsye më shumë që ne të jemi më shumë bashkë në jetën politike”, u shpreh Topalli.
Duke u ndalur te garantimi i të drejtave të grave,
Topalli tha se Shqipëria ka bërë progres porsa i takon miratimit të ligjeve për mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi.
“Unë ndjehem mirë që këtu, në këtë sallë shoh zonja të cilat janë iniciatore të ligjeve të rëndësishme, që ne i kemi kaluar në Parlamentin e Shqipërisë. Ligje kundër dhunës ndaj grave, ligje kundër dhunës në familje. Unë dua t’i falënderoj edhe një herë këto zonja për punën që kanë bërë. Unë kam një bashkëpunim shumë të mirë me komisioneren kundër diskriminimit. Ne në Kuvendin e Shqipërisë kemi kaluar konventa shumë të rëndësishme; konventën për të drejtat e grave që pothuaj ka të njëjtat dimensione të fuqishme si konventa e të drejtave të njeriut, siç tha dhe zonja Zineb. Në qeveri ka kaluar konventa tjetër kundër dhunës dhe diskriminimit. Por, a mjafton që  të flasim vetëm për konventa, për rezoluta, për ligje? Sa të aplikueshme janë? Sa prekin realisht dhe sa mbështesin gruan në qytet, në fshat, në komuna të ndryshme të Shqipërisë? Sa ia kemi arritur ne për t’i bërë ato më pjesëmarrëse në jetën ekonomike. Jam shumë e lumtur  që në jetën akademike ka një pjesëmarrje shumë të madhe të grave. Është një dimension i shkëlqyer i nënave dhe i vajzave shqiptare, që numri i studenteve është më i madh ndoshta se dhe i djemve që studiojnë në universitete”, tha ajo.
Ndërkaq, sipas raportit gratë vazhdojnë të jenë pre e dhunës dhe pabarazisë gjinore.
“UN Women” i bën thirrje qeverive të vendeve që monitorojnë të shfuqizojnë ligjet diskriminuese gjinore. Po ashtu, raporti vëren se askush nuk ka bërë ndonjëherë ndonjë vlerësim se sa pjesë e GDP-së është puna që gruaja bën në çdo aspekt dhe në çdo fushë të jetës së saj. “Natyrisht ne që jemi dëshmitare dhe që kemi përjetuar pjesëmarrjen e gruas nga shekulli i kaluar në këtë shekull, e ndjejmë atë që në fakt është titulli i këtij raporti; progresi që gruaja ka bërë në botë dhe në Shqipëri. Dhe pasi them këtë, kam bindjen e  plotë sesa probleme të mëdha, sesa vështirësi të mëdha ka përballë gruaja në jetën e përditshme”, tha më tej, kryeparlamentarja, Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›