E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Infrastrukturë të modernizuar në çdo fshat të vendit”

22-10-2011 / Gazeta 55

Inaugurimi i përfundimit të punimeve të rrugës Qafë Rrenas – Labinot Mal

Gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve të rrugës Qafë Rrenas – Labinot Mal, me gjatësi 8 kilometra dhe një investim me vlerë 70 milion lekë, Berisha u shpreh se ndërtimi i kësaj rruge do të lidhë tregun e tyre me tregun e Elbasanit dhe shumë shpejtë me tregun e Tiranës, pas përfundimit të tunelit dhe autostradës Tiranë- Elbasan.
Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e komunës Labinot Mal se qeveria do të mbështesë çdo projekt, si dhe kërkoi që të ndërmerret një nismë për shumëfishimin e drurëve frutorë.
“Rruga është zhvillim, rruga është mundësi e madhe, rruga hap tregjet drejt Elbasanit dhe së shpejti, pas përfundimit të tunelit dhe autostradës Tiranë-Elbasan, hap edhe tregjet drejt Tiranës për prodhimet tuaja, ndër më të mrekullueshmet në Shqipëri dhe në Europë.
Rruga bën, gjithashtu, që ju të përballoni më me sukses të gjitha nevojat dhe problemet e jetesës në këtë zonë. Unë jam këtu për t’ju garantuar ju, por dhe gjithsecilin nga këto gra e këta burra në këtë shesh, si dhe të gjithë banorët e komunës Labinot Mal dhe komunave të tjera në këtë zonë se për mua e për qeverinë time, ju, qytetaret e qytetarët e këtij vendi të Labinonit, të Rrenës, të Dibrës, të Përmetit, të Frashërit, të Mokrës, të Lekbibajt dhe të mbarë Shqipërisë, jeni dhe do të jeni në krye të axhendës, të krye të rendit të ditës, të krye të punëve të qeverisë sime. Para jush, para shqiptarëve, kam një zotim: të ndërtojmë infrastrukturën në çdo fshat, në çdo komunë, të njëjtë me lagjet e qyteteve. Dhe ju sot keni një rrugë të asfaltuar, e cila fatkeqësisht mungon në shumë e shumë lagje të Tiranës. Por kryetari i ri është zotuar se qytetarët janë të parët dhe do t’i zgjidhe problemet. Ju sot keni një shkollë, në të cilën fëmijët tuaj ulen në banka dhe kanë internetin njëlloj si në Elbasan, si në Tiranë, si në Londër, si në Paris, si në çdo vend të zhvilluar të botës”, tha Berisha para banorëve të kësaj zone.
Duke shtuar se “të gjithë ata që do të investojnë në zonat turistike malore do të përjashtohen nga taksat për tetë vjet. Por nga ana tjetër, ju bëj thirrje të shumëfishojmë drurët frutorë. Nuk ka vend në Shqipëri apo gjetiu që t’i ketë frutat më të shijshme se zona juaj. Unë e kuptoj që ju keni pasur vështirësi tregu, por tani me rrugën dhe tunelin e Elbasanit, ju bëheni pjesë e tregut të Tiranës. Me zhvillimin e turizmit, tregu i prodhimeve tuaja do të bëhet shumë herë më i madh. Për ne ‘Shqipëria vend i zhvilluar’ është ëndrra më e bukur, më madhështore e çdo shqiptari. Shqipëria është vend i bekuar. Në të katër anët e saj ajo ka pasuri të pafundme. Le të bëjmë ne gjithçka për t’i shndërruar ato pasuri në vlera për çdo qytetar. Le të ecim ne të sigurt drejt mëkëmbjes, drejt prosperitetit. Le të ndërtojmë këtu ne, në Labinot Mal, në Rrenë e kudo Evropën drejt së cilës po ecim. Për ne nuk ka një pëllëmbë tokë për tu braktisur, nuk ka një fshat dhe një komunë për tu braktisur. Paraardhësit tanë kanë zhvilluar doktrinën e zonave ku nuk ia vlen të investohet asgjë. Edhe sot ngrihen kundër ndërtimit të rrugëve, ngrihen kundër veprave publike. Ne do t’ju dëgjojmë ju dhe vetëm ju. Interesat dhe kërkesat tuaja janë e do të mbeten axhendë e kësaj qeverie. Ne së bashku do të bëjmë që shpatet, luginat, tokat e çdo komune dhe çdo fshati të shndërrohen në kopshtin më të bukur, të shumëfishohet prodhimi dhe të ecim drejt mëkëmbjes. Së bashku do të bëjmë që çdo litër ujë që buron nga malet të kthehet në energji elektrike dhe të mos derdhet në det pa vlerë. Së bashku ne do të mëkëmbemi, do të zhvillojmë turizmin. 300 mijë kemi marrë në vitin 2004, 3.5 milionë ishin vitin që kaloi. Sigurisht nuk e kemi bulevard përpara nesh, sepse kemi trashëguar edhe një prapambetje që i afrohej mesjetës. Nuk e kemi bulevard, të dashur miqtë e mi, sepse në histori atë që i kemi bërë ne vetes, nuk na e kanë bërë të huajt. Por sot jemi me fat, jemi një vend i lirë, jemi anëtar të NATO-s, jemi një vend demokratik. Sot askush nuk mund të kërcënojë dhe të luajë me fatin tuaj, me liritë tuaja, me të drejtat tuaja, me pronat tuaja, me të ardhmen tuaj”, shtoi më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›