Arben Malaj: Në PS nuk ka as demokraci dhe as integritet

Banda e Saimir Tahirit në Kombinat
Deputeti socialist Arben Malaj, njëherazi anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, në kuadër të turit të bashkëbisedimit për “Modernizimin e partive politike” në Shqipëri, u ndal sot në Kombinat.
Të pranishëm në takim ishin një numër i madh të rinjsh në kërkim të mundësive për të shprehur lirisht mendimet e tyre mbi ndryshimin e situatës së rënduar socio-ekonomike në vend dhe kontekstit hermetik në të cilin zhvillohet politika sot.
Ndërsa diskutohej kundër qëndrimeve radikale dhe mungesës së demokracisë së brendshme në Partinë Socialiste, disa individë tentuan që të prishnin në mënyrë të dhunshme takimin.
“Këta të porositur nga drejtues që komandojnë partitë politike të cilët nuk e shohin dot demokracinë dhe të drejtën e fjalës si standard politik, por në të kundërt e trajtojnë pozicionin si pushtet antidemokratik, përfaqësojnë krizën e vërtetë që po kalon klasa politike shqiptare. Është thellësisht dëshpërues realiteti politik në të cilin ndodhet Shqipëria sot, e aq më tepër kur ngjarje dhe individë të tillë mësyjnë zërat e lirë të politikës në vend”, u shpreh Malaj, në reagimin e tij zyrtar, pas cenimit të mbledhjes me qytetarë të kombinatit.
Ai garantoi se s’do tërhiqet nga turi i tij i bashkëbisedimit jo vetëm në kombinat, por edhe në zona të tjera të kryeqytetit.