“Shqipëria po bëhet një vend gjithnjë e më atraktiv”
Investimet e huaja, Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto mori pjesë dje në ceremoninë e hapjes së Panairit Ndërkombëtar “Vjeshtë 2011”.
Pas prezantimit dhe njohjes me disa nga kompanitë që paraqesin produktet e tyre në këtë panair, Haxhinasto tha se Shqipëria po bëhet një treg shumë atraktiv për kompanitë më në zë që përdorin teknologjitë më të larta.
“Prezantimi i këtij tregu këtu me teknologjinë më të fundit është shumë domethënës, shumë cilësor dhe në fund të fundit tregon se tregu shqiptar është një treg me kërkesa të vazhdueshme, është një treg që reflekton një konkurrencë gjithmonë e në rritje, gjë që e bën Shqipërinë një vend i cili përfaqëson një nivel shumë të lartë zhvillimi industrial, ekonomik e tregtar”, u shpreh Haxhinasto.
Sipas tij, Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm për sa i takon tërheqjes së investimeve të huaja.
“Fakti që ajo në vazhdimësi garanton stabilitet, garanton vetë rritje ekonomike, tërheqje dhe kërkesë në tregun e saj të brendshëm, por dhe fakti shumë i rëndësishëm që Shqipëria është në një proces të vazhdueshëm integrimi në ekonomitë e rajonit, e bën tregun shqiptar shumë atraktiv për investimet e huaja dhe treguesit janë shumë të qartë. Me rëndësi nuk janë vetëm angazhimet dhe interesat sasiore, por mbi të gjitha interesat cilësore, pra ato investime, ato teknologji që janë liderë në botë, të cilat sigurisht do të sjellin një impakt shumë të rëndësishëm në vetë zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë”, tha më tej zëvendëskryeministri Haxhinasto.