“Zgjedhja e delegatëve, proces i manipuluar”
PS dega Shkodër
“Kandidatët u caktuan nga deputetët”
Edhe pse sot zhvillohen zgjedhjet për delegatët e kongresit të 5 nëntorit të Partisë Socialiste, delegatët e PS-së dega Shkodër, deklarojnë se po bëhen manipulime.
Sekretari për marrëdhëniet me publikun të Partisë Socialiste dega Shkodër, Jetmir Shpuza, shprehet se përzgjedhja sipas parimit “një anëtar një votë”, për delegatët nuk do të respektohet dhe kjo pasi sipas tij, delegatët janë të emëruar prej krerëve lokalë. Ndaj, Shpuza thotë se zgjedhjet e ditës së sotme do të jenë thjesht formale.
“Këtu po kërkohet të bëhet manipulim. Gjithçka nis nga vendosja e një komisioni formal dhe duke i fut letrat, pasi aty nuk do të ketë pjesëmarrje në votim. Parimi ‘një anëtar një votë’ nënkupton që të nominuarit të bëjnë propagandë njëherë brenda anëtarësisë. Kjo s’ka ndodhur. S’ka pasur kohë për të bërë propagandë për të votuar të nominuarin. Por ky nuk është votim. Gjithçka po nistrumentalizohet mes kryetarit të rrethit në bashkëpunim me deputetë, duke marrë edhe vulën e deputetit, për të forcuar gjithnjë e më shumë mendimin vendimmarrës. Atëherë le të ndryshohet statuti dhe delegatët le të zgjidhen nga kryetari i rrethit, s’është nevoja fare për të imponuar parimin ‘një anëtarë, një votë’”, thotë ai.
Shpuza deklaron gjithashtu se pjesë e manipulimit është edhe përjashtimi i asamblesë socialiste të Shkodrës, nga procesi i përzgjedhjes së delegatëve të Kongresit.
“Të Enjten në darkë u mblodh asambleja e këtij qyteti dhe pjesa dërrmuese e kësaj asambleje pati kontestime, për të gjithë mënyrën dhe procesin dhe 3 pikat e tij kryesore si, lista e të nominuarve, pra atyre që do të votohen për delegat, vendvotimi që nuk dihej dhe ende nuk dihet dhe e treta komisioni. Komisionin e cakton dega e qytetit dhe jo ajo e rrethit, sepse asambleja e rrethit ka caktuar komisionin e rrethit”, tha ai.
Shqetësime për manipulime në përzgjedhjen e delegatëve për kongresin e 5 nëntorit, ka shprehur më herët edhe deputeti dhe anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, në turin që ai ka nisur për modernizimin e forcës më të madhe të opozitës.