E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama po përdor çdo rrugë për të zhbërë mendimin ndryshe

22-10-2011 / Gazeta 55

Çetnikët e Saimir Tahirit zbarkuan dje në takimin e Arben Malajt me kombinatsit

Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga mbledhja e Kongresit socialist, të 5 nëntorit, Edi Rama është në përgatitjet e fundit të platformës së gënjeshtrës dhe mashtrimit të anëtarësisë socialiste. Me delegatë të zgjedhur me firmë dhe vulë të tij, Rama shmang kështu mendimin kritik dhe atë alternativ, duke e kthyer kongresin e 5 nëntorit si plenumet historike të Enver Hoxhës, ku ngritja e zërit të etiketonte armik të partisë dhe fati i mëtejshëm ishte po në dorë të partisë, derisa dora e zezë të firmoste varjen apo pushkatimin në “emër të popullit”.
Sot, realiteti është ndryshe.
Ekzekutimet fizike janë shndërruar me denigrime publike, ku gjyqi i bëhet çdo socialisti të thjeshtë, ndërsa s’mungon presioni dhe dhuna verbale. Jo më kot, PS akuzohet si forcë politike me demokraci të vdekur dhe aspak tolerante. Por kjo se ka penguar një grup deputetësh, themelues dhe me kontribute historike në PS, të dalin kundër shpurës së dirigjuar nga Edi Rama. Arben Malaj, Andis Harasani dhe Kastriot Islami, janë vetëm esenca e mendimit ndryshe që po maksimalizon qëndrimin refraktar kundër kultit të lidershipit socialist.
I ndjerë në hall dhe i tmerruar nga vëmendja e tërhequr nga turi i bashkëbisedimit të Arben Malajt me qytetarët, Edi Rama bëri atë që mund të bënte më lehtë, të prishte takimin e djeshëm të Mendimit Ndryshe në Kombinat. Një bandë çetnikësh e kryesuar nga Sajmir Tahiri, mbërriti në ambientet private në Kombinat, ku po zhvillohej bashkëbisedimi i deputetit Malaj “Mbi modernizimin e Partisë Socialiste”, me qytetarë të ndryshëm. Çetnikët e Ramës tentuan me çdo kusht të ndërpresin takimin, ndërsa përmes elementëve të infiltruar shkuan deri në ndezjen e incidenteve të panevojshme gjatë diskutimeve të pavarura.
Gjithçka në funksion të mbizotërimit të frymës të mashtrimit dhe gënjeshtrës, në mënyrë që socialistët e thjeshtë të mos mësojnë dhe as dinë se si dhe se ku do mbahen zgjedhjet për delegatët dhe se çfarë do vendoset e diskutohet në 5 nëntor.
Përmes formulës së ruajtjes së “sekretit politik” dhe pamundësisë së (qëllimshme) të përcjelljes së mesazhit, Rama po ia del të zhdukë elementët e “rrezikshëm” politik, përmes 3 elementëve të rëndësishëm. E para, nuk është bërë publike lista e të nominuarve që do garojnë për delegat’ në kongresin socialist. E dyta, Partia Socialiste s’ka informuar bazën socialiste për vend-votimet dhe e treta ka paqartësi të mëdha porsa i takon ngritjes së komisioneve. Pra, gjithçka është ndërtuar në funksion të manipulimit dhe deformimit të vullnetit të socialistëve të thjeshtë.
Ata që do shkojnë si delegatë në kongresin e pas dy javëve, nuk do dalin nga zgjedhjet e sotme, pasi këto janë thjesht një formalitet i radhës që si tullumbace i shërben kultit të individit. Delegatët janë zgjedhur nga Edi Rama në bashkëpunim me 99-shat dhe biznesmenë pranë kryetarit dhe lista e tyre ndodhet në selinë e Partisë Socialiste në Tiranë. Inskenim i jashtëzakonshëm për një ngjarje e cila fare lehtë mund të marrë përmasat dramatike për fatin politik të Ramës. Dhe e gjithë frika është që kongresi i 5 nëntori të mos shndërrohet një mbledhje kurthi për Edi Ramën. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›