E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Institucionet të punësojnë persona me aftësi të kufizuara

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti sot punimet e tryezës për prezantimin e Planit Strategjik 2012-2015 dhe Planit të Veprimit për vitin 2012 të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, Ambasadori i BE, Ettore Sequi, përfaqësues nga shoqëria civile etj.

Topalli konfirmoi mbështetjen e palëkundur për të bërë çdo gjë për mbrojtjen nga diskriminimi, në mbështetje të plotë të çështjes së të drejtave të njeriut. Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria, si një vend me shoqëri të hapur dhe të lirë dhe që ka si objektiv kombëtar integrimin evropian do të ecë me ritmin e legjislacionit të BE-së në drejtim të asaj që është e drejta, humanizmi dhe barazia.

Ne theksoi Topalli, “jetojmë në një shoqëri të hapur, një shoqëri të lirë, një shoqëri që synon dhe që ka target e objektiv kombëtar të bëhet anëtare e Bashkimi Europian”. Sipas saj, “gjatë kësaj periudhe në parlament kemi kaluar ligje të rëndësishme në mbështetje të njerëzve me aftësi të kufizuar. Ne kemi një bazë ligjore, në të cilin institucionet shtetërore janë të detyruara të punësojnë njerëz me aftësi të kufizuara. Unë jam shumë e kënaqur që të punësoj në Kuvendit e Shqipërisë persona nga këto kategori”.

Ajo mbylli fjalën duke i bërë apel çdo institucioni, shtetëror e privat, bizneseve të fushave të ndryshme, që të tregojnë pak dhembshuri, ta mendojmë sikur e kemi brenda familjes një person të tillë. "Edhe këta njerëz kanë nevojë për ndihmë, kanë nevojë për mbështetje. Sigurisht nuk kanë nevojë për mëshirë, sepse ata kanë dinjitet", përfundoi kryetarja e Kuvendit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›