Pronat, shtyhet afati i kompesimit, vlerësimin do ta bëjë qeveria
Tiranë- Ndryshimi i ligjit për kthimin dhe kompesimin e pronave ka bërë që Kuvendi të anashkalohet nga ky proces dhe afati i tij të shtyhet deri në vitin 2014.
Mazhoranca ka miratuar sot në Komisionin e Ekonomisë, ndryshimin e këtij ligji, ku synohet që aktet ligjore që rregullojnë agjencinë e kthimit dhe kompesimit të pronave të miratohen nga Këshilli i Ministrave.
“Eshtë parashikuar, që agjencia që ushtron funksionet e drejtimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave është tashmë nje agjenci qeveritare, në varësi të ministrit të Drejtësisë, e për rrjedhojë edhe aktet nënligjore që do të rregullojnë veprimtarinë e kësaj të fundit, do të miratohen nga Këshilli i Ministrave”,- ka deklaruar Elona Syla, drejtoreshë e Hartimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë.
Por për socilaistët ndryshimi përbën shkelje juridike, pasi Këshilli i Ministrave duhet të kompesojë tokën dhe jo ta vlerësojë atë.
“Diskutimi është parimor. Nuk mundet të përcaktojë vlerën e pronës sime, një institucion, i cili ka marrë përsipër detyrimin që të më kompensojë pronën që kam patur. Nëqoftëse me ligj detyrimin për të kompensuar në vlerë në natyrë, e ka marrë qeveria, natyrisht që nuk mundet që qeveria të bëjë vetëvlerësimin e pronës sime, pavarësisht standardeve që do të aplikojë, prandaj është vendosur Parlamenti më herët, prandaj duhet të jetë përsëri Parlamenti, për ta miratuar si një institucion”,- tha deputeti socialist, Erion Braçe.
Në sajë të ndryshimeve që synohen, afati i kompesimit të pronave do të shtyhet deri në prillin e vitit 2014, pasi nuk ka fonde për kompesim.