E Diel, 1 Nëntor 2026

Investuam 520 mln dollarë për Shkodrën - arsimi, objektiv madhor i PD

15-05-2013 / Gazeta 55

Znj. Topalli me studentët në universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe në komunën Gur i Zi

Në një bashkëbisedim të hapur me student të universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli tha se investimi më i madh i qeverisë së Partisë Demokratike në dy mandate e saj ka qenë ai për shkollat dhe arsimin. “Për mua personalisht, për qeverinë e Partisë Demokratike nuk ka investim më të madh se sa investimi për shkollat. 32% është rritur numri i maturantëve. 37% është rritur numri i studentëve në shkollat profesionale. Është trefishuar numri i studentëve në universitete duke i dhënë mundësi çdo të riu dhe të reje të ndjekë ëndrrën e saj”, u shpreh Topalli. Sipas kryeparlamentares Topalli ndryshimi me 8 vitet e qeverisjes socialiste është i dukshëm jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë. “Nëse kthehemi me memorien vetëm 8 vite më parë, do të shohim se sa shumë ka ndryshuar Shkodra, sa shumë investime janë bërë. Në vit buxheti për bashkinë e Shkodër ishte vetëm 80 mijë euro nga shteti, nga pushteti i socialistëve. E dini sa janë investuar gjatë kësaj periudhe, gjatë 8 viteve në qarkun e Shkodrës? Investime publike dhe private; 520 milionë dollarë. Shifër rekord”, theksoi ajo. Një lajm i mirë që studentët ndërtimi i një kampusi të ri universitar në pjesën më të bukur të qytetit, pranë liqenit të Shkodrës. Për kryeparlamentaren investimet kanë ndryshuar Shkodrën. “Nga këto miliona dollarë nga buxheti i shtetit dhe nga marrëveshjet që janë miratuar në qeveri dhe në parlamentin e Shqipërisë janë 104 shkolla te rikonstruktuara, 26 shkolla të reja tërësisht. Janë bërë 890 km rrugë rurale, nacionale dhe urbane, janë ndërtuar 70 ujësjellës. E dini sa para janë subvencionuar për bujqësinë, dhe sa hektarë janë mbjellë në zonën e qarkut të Shkodrës? Plot 2000 hektarë ullishte, arrore, bimë medicinale etj”. Jozefina Topalli u theksoi studentëve se në planin urban të zhvillimit të qytetit është projektuar ndërtimi i një kampusi të ri universitar, pranë liqenit.
Ndërkaq më herët nënkryetarja e Partisë Demokratike dhe Kryetare e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi  sot nga Komuna Guri Zi, në rrethin e Shkodrës, në çelje të fushatës elektorale, se  "fitorja e PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit do të jetë edhe në shërbim të kësaj komune, për investime akoma edhe më të mëdha, gjatë mandatit të ardhshëm". Gjatë fjalës së saj përpara pjesëmarrësve të shumtë, Topalli i shprehu mirënjohjen këtij komuniteti për mbështetjen në të gjitha mandatet e periudhës së fundit, si deputete, por edhe për Partinë Demokratike. Ajo rikujtoi premtimet e bëra, ku rruga e fshatit Rrenc, nga një gjendje tepër e mjeruar, sot është bërë model, ku me investimet e qeverisë, sot mjaftojnë vetëm 12-të minuta për të mbërritur nga Shkodra, në komunën e Gurit të Zi. Topalli përmendi investimet e bëra gjatë këtyre viteve për ndërtimin e rrugëve në fshatrat Kuç, Vakatanë, Guri i Zi-Rragam, sipas parametrave, ndërtimin e ujësjellësit, qendrat shëndetësore në çdo fshat të kësaj komune, ndërtim dhe rindërtim të shkollave, etj. Topalli tha se nën qeverisjen e PD-së, në qarkun e Shkodrës janë investuar më shumë prej 540 milion dollarë, një shifër e pabesueshme, kur e mendon se si është trajtuar më parë ky qark nga qeveria socialiste.  Duke përcjellë vlerësime maksimale për kandidatët për deputet të PD-së në qarkun Shkodër, Topalli tha se shqiptarët kanë dy alternativa përpara vetes, kryeministrin Sali Berisha dhe Edvin Ramën. "Alternativa e parë i qëndron kombit, flamurit, zhvillimit, integrimit, familjes, së ardhmes, ndërsa alternativa e dytë është kundra kombit, kundra shqiptarisë, kundër integrimit, është kundër familjes, kundër gruas, kundër çdo gjëjë”, tha Topalli, duke rikujtuar se për katër vite rresht Rama nuk i lejoi deputetët të votojnë ligjet në Parlament.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›