Dekretet, thellohet kriza Topalli-Topi
Kryetarja e Kuvendit, Topalli, mesazh të qartë kreut të shtetit për konsultim. Dekretet nuk do të kalojnë pa u “miratuar” më parë nga ajo dhe Berisha
“Institucioni i Kuvendit dhe institucioni i Presidentit duhet të bashkërendojnë punën për të gjetur konsensusin”
TIRANË- Lufta e “nëndheshme” midis klaneve në Partinë Demokratike ditët e fundit ka dalë në sipërfaqe. Çështja “Mediu” edhe së fundi ajo e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë janë kthyer në një provë të hapur force midis Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, pas së cilës duket se qëndron vetë kryeministri Sali Berisha, pavarësisht se deri më tani nuk ka pranuar që të pozicionohet hapur. Pas bllokimit të hetimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe akuzave që hodhi ndaj të përzgjedhurës së presidentit, kryeprokurores Ina Rama, Topalli ka vijuar dje luftën e saj ndaj kreut të shtetit edhe me çështjen e dekreteve për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Duke replikuar në distancë me Presidentin për këtë çështje, Topalli ka këmbëngulur se, përsa i përket verifikimit të dekreteve po zbaton vetëm ligjin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duket se Topalli dhe Berisha kërkojnë patjetër që dekretet e Topit para se të kalojnë për shqyrtim në Kuvend të miratohen nga ta në tavolinë.“Kuvendi i Shqipërisë funksionon në bazë të Kushtetutës, Rregullores dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin të emërimit të gjyqtarëve është ky thelbi mbi të cilin do të bazohet veprimtaria e tij”, - u shpreh Topalli në një dalje të posaçme për mediat. Në përpjekje për të treguar supermacinë e vet në këtë marrëdhënie, ajo nuk ka ngurruar t’i tregojë presidentit Topi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas Topallit e bën të detyrueshme konsultimin midis dy institucioneve Presidencë-Kuvend në përzgjedhjen e kandidaturave të gjyqtarëve. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, datë 18.1.2005, në thelbin e tij kërkon të shmangë situata në të cilat një institucion mund të propozojë pa pyetur, apo institucioni tjetër të miratojë, apo të rrëzojë pa pyetur. Ky është thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj që institucioni i Kuvendit dhe i Presidencës që janë institucionet kryesore të shtetit, siç e thekson vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të bashkërendojnë për të gjetur një konsensus në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”,- theksoi kryeparlamentarja. Duke hyrë në interpretimin e këtij vendimi, Topalli i ka dhënë Kuvendit të gjithë të drejtën për të zgjedhur anëtarët e Gjykatave. “Gjykata Kushtetuese në thelbin e vet i jep meritën e emërimit Kuvendit, por në të njëjtën kohë thotë që institucioni i Kuvendit dhe institucioni i Presidentit duhet të bashkërendojnë punën për të gjetur konsensusin”, tha Kryetarja e Kuvendit. Pavarësisht se tashmë pesë kandidaturat për gjyqtarë qëndrojnë të depozituara në Kuvend dhe duke e konsideruar këtë çështje si një betejë, kryeparlamentarja i ka kërkuar kreut të shtetit që të pranojë dialogun me të në kërkim të konsensusit. “Si përfaqësuese e Kuvendit jam tërësisht e gatshme, tërësisht e hapur, në zbatim të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, por edhe për faktin që jam besimtare e dialogut, e koordinimit, e bashkërendimit të punës midis institucioneve, për të gjetur konsensusin në këtë pikë”, - pohoi Topalli. Prej më shumë se tre javësh, Kryetarja e Kuvendit ka bllokuar miratimin në Kuvend të pesë dekreteve të presidentit për emërimin e 5 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, me argumentin se ka kërkuar verifikime për kandidaturat e tyre.
Fejzi Braushi