Patozi:Verifikimi i kandidaturave të sjella nga Topi, e drejtë e Kuvendit
TIRANË- Kundër presidentit Topi ka dalë dhe kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi. Në një konferencë për shtyp ai ia ka bërë të ditur se e drejta e zgjedhjes së gjyqtarëve i përket Kuvendit me propozim të Presidentit. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtën parlamentit të shqyrtojë me themel dhe në substancë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë”, - u shpreh Patozi. Ai ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, duke theksuar se Kryetarja e Kuvendit është në zbatim të ligjit. “Pretendimet e ditëve të fundit, të përfaqësuesve më të lartë të PS-së lidhur me emërimet në Gjykatën e Lartë, janë krejtësisht abuzive, të pabazuara në fakte dhe të frymëzuara nga qëllime të pastra politike”. Për grupin parlamentar të PD-së çdo formë e presionit politik në procedurën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë është sa joproduktive, aq edhe e papranueshme. Sipas kreut të grupit demokrat Kuvendi nuk ka shkelur asnjë afat kohor në lidhje me shqyrtimin e kandidaturave, prandaj dhe shqetësimi i opozitës sipas tij është i kotë. “Deri tani në këtë proces nuk është shkelur dhe dhunuar asnjë afat ligjor dhe asnjë detyrim kushtetues, e aq më pak të jenë cenuar të drejtat e njeriut të ndonjë personi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i njeh qartësisht Parlamentit të drejtën e shqyrtimit në themel dhe në substancë të çdo kandidati që ofrohet për anëtar të Gjykatës së Lartë. Ky është një atribut që është i detyrueshëm të pranohet jo vetëm nga mazhoranca apo nga disa forca politike, por nga të gjithë”, theksoi Patozi. Ai nënvizoi gjithashtu se deklaratat e ditëve të fundit të drejtuesve më të lartë socialistë janë një shfaqje e hapur presioni ndaj Kryetares së Kuvendit. “Deklaratat e drejtuesve të PS-së ne i konsiderojmë një formë të qartë presioni politik, që nuk shkakton asnjë pasojë në qëndrimin tonë korrekt, kushtetues dhe ligjor për këtë çështje”, tha Patozi, duke iu shmangur përfshirjes në debatin që aktualisht po zhvillohet brenda kampit demokrat midis presidentit Topi dhe Kryetares së Kuvendit, Topalli.