E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dorëzohet: Mjekët kryesojnë listën e korrupsionit

 

Kreu i qeverisë ka akuzuar mjekët, gjyqtarët dhe prokurorët si më të korruptuarit në vend

“Për fatin tim më të keq, ish-kolegë e ish-studentë të mi vazhdojnë të nxijnë bluzën e tyre, të shkelmojnë mbi moralin e misionit të mjekut”.

Më së fundi kryeministri Sali Berisha duket se është dorëzuar përpara korrupsionit dhe ka pranuar publikisht nivelin e lartë të tij në dy prej shërbimeve më të përhapura siç është mjekësia dhe drejtësia. Në vijim të turrit të tij “Shqipëria në NATO” kreu i ekzekutivit nga Gramshi, ku ka zhvilluar dje një seri takimesh, ka pranuar të flasë edhe për sfidat me të cilat qeveria e tij ende nuk ka arritur të korrë sukses, duke e konsideruar luftën kundër fenomenit të mitmarrjes si një prioritet të punës së vet. Në këtë linjë Berisha ka akuzuar hapur bluzat e bardha si kryesuese të listës së zezë të korrupsionit në vend. Duke i konsideruar mjekët si kolegë të tij, për shkak të profesionit të tij të parë, shefi i qeverisë është shprehur i keqardhur që ata renditen në krye të një liste që nuk ka të bëjë aspak me misionin human të mjekut. “Sot ka tre sektorë që kryesojnë korrupsionin. Për fatin tim më të keq, janë ish-kolegë e ish-studentë të mi që vazhdojnë të nxijnë bluzën e tyre, të shkelmojnë mbi moralin e misionit të mjekut. Disa prej tyre u kërkojnë para për t`u ofruar shërbime qytetarëve duke nxirë në këtë mënyrë moralin, dinjitetin e këtij misioni e profesioni të shenjtë, mjekut”, - u shpreh kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur para qytetarëve të Gramshit. Ndërkohë këtë listë e pasojnë njerëzit e sistemit të drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët sipas tij vijojnë të qëndrojnë si njerëzit më të korruptuar edhe në Evropë. Ai ka evidentuar si shqetësues faktin se edhe pse gjyqësori përflitet si një nga fushat më të korruptuara, ende asnjë përfaqësues i tij nuk ka shkuar në qelitë e burgut. Nisur nga një fakt i tillë, ai është zotuar se nuk do të ndalë së punuari për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që abuzojnë me ligjin, duke kërkuar ryshfet përpara qytetarëve shqiptarë. “Akoma asnjë gjykatës në dhjetë vitet e fundit nuk ka parë qelinë, paçka se janë hajdutët më të mëdhenj të Evropës. Unë ju garantoj se do të vazhdoj betejën time derisa të shoh gjykatës dhe prokurorë, mjekë apo kushdo qoftë të përballet me ligjin”, -theksoi kreu i qeverisë. Madje ai ka prurë përpara qytetarëve gramshiotë dhe një rast konkret të ndodhur disa ditë më parë në Elbasan, ku kryetari i Gjykatës së këtij rrethi, Bujar Musta, kishte liruar një të dyshuar për vrasje. “Në qytetin tuaj tre muaj më parë një faqezi si Bujar Musta, kryetar i gjykatës së Elbasanit, një kriminel si ai, liroi në sallën e gjyqit vrasësin e njeriut të pafajshëm. Motra e viktimës, emigrante në Itali, tre muaj para gjyqit më bën një letër tronditëse ku më thotë se “dora e zezë e vrasësit i mori jetën vëllait tim në derën e shtëpisë. Unë të garantoj se vrasësin do ta lirojnë”. Dhe në fakt vrasësin e liruan. Buajr Musta u largua, por ju jap fjalën se do ta ndjekim kudo që të shkojë”, pohoj Kryeministri. Gjithashtu lideri i qeverisë u shpreh edhe për një tjetër rast ku një prokuror, edhe pse i filmuar, duke kërkuar 7 mijë euro sot ecën ende i lirë në rrugët e Tiranës. Megjithatë Berisha ka ftuar qytetarët e thjeshtë që të kenë besim tek qeveria dhe të denoncojnë çdo rast kur punonjësit e administratës publike kërkojnë para në shkëmbim të shërbimeve joligjore.

Fejzi Braushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›